Shkurt/ Barça në merkato, United pëlqen Brozovicin
Largimet me peshë gjatë merkatos së verës kanë detyruar drejtuesit e Barcelonës të nisin menjëherë punën për të përforcuar skuadrën, që këtë fillim sezoni po has shumë vështirësi. Sipas mediave spanjolle, katalanasit do të ndërhyjnë për të përforcuar fillimisht repartin e sulmit, kur gjatë merkatos së janarit do të synojnë Dani Olmon, i cili në vitin 2020 preferoi të transferohej në Gjermani te Leipzigi. Alternativa e dytë është Raheem Sterling, i cili nuk po gjen hapësira te Manchester City dhe me shumë mundësi do të largohet nga Cityzens. Pikërisht Sterling duket profili i përsosur i lojtarit për t’iu bashkuar katalanasve.

Në shtëpinë e Manchester United po punohet për të përforcuar mesfushën. Pas çështjes së komplikuar për rinovimin e Paul Pogasë, drejtuesit po shqyrtojnë gjithashtu edhe mundësinë për të gjetur sa më parë zëvendësuesin e Donny Van De Beek, i cili nuk po arrin të ambientohet te klubi anglez, duke detyruar drejtuesit ta nxjerrin në shitje holandezin, të cilin e afruan në skuadër në vitin 2020, kohë kur e blenë nga Ajaxi për shumën e 40 milionë eurove. Sipas mediave angleze, klubi ka piketuar Marcelo Brozovicin, kontrata e të cilit me Interin skadon në fund të sezonit.

Aurelien Tchouameni ndez edhe më shumë merkaton. Talenti i Monacos, i cili debutoi me kombëtaren franceze gjatë muajit shtator, po shkëlqen me fanellën e klubit nga Principata, ku shënoi në përballjen me Bordonë, duke tërhequr vëmendjen e klubeve si Chelsea dhe Liverpooli, që do të synojnë ta rrëmbejnë futbollistin që gjatë merkatos së janarit. Pas klubeve angleze në garë për kartonin e lojtarit është futur edhe Juventusi. Klubi francez e vlerëson futbollistin 34 milionë euro dhe nuk pranon asnjë ndërmjetësim në bisedimet për shitjen e Tchouameni.

E ardhmja e Edinson Cavanit mund të jetë larg Manchester United. Rikthimi i Cristiano Ronaldos ka bërë që 34-vjeçari, i cili ia la fanellën me nurmin 7 pikërisht portugezit, të mos shihet më si alternativë e parë në sulm nga trajneri Ole Gunnar Solskjær, i cili e ka aktivizuar sulmuesin vetëm në tri ndeshje, ku nuk ka shënuar ende asnjë gol. Gjithsesi gjatë një interviste, pavarësisht situates së krijuar në skuadër, uruguaiani deklaroi se së ardhmes nuk i dihet, por për momentin nuk e mendon largimin dhe se është i fokusuar te kampionati me “Djajtë e Kuq” dhe do të japë maksimumin deri në fund.




