Merkato

Shkurt/ Barcelona shfaq interes për De Vrij, Mourinho do Vinicius te Roma

Barça studion afrimin e De Vrij
Vështirësitë financiare te Interi vazhdojnë të jenë prezente dhe klubi për të rregulluar plusvalencën është detyruar të nxjerrë në shtije disa nga yjet e ekipit. Pas Lautaros e Hakimit që kanë kohë që përfliten në media për një largim të tyre gjatë verës, zikaltërve mund t’u japë lamtumirën edhe Stefan De Vrij. Holandezi ndiqet me interes nga Barcelona, që pavarësisht afrimit të Eric Garcias nuk e përjashton mundësinë e blerjes së mbrojtësit të qendrës. Katalanasit kërkojnë të shfrytëzojnë momentin e vështirë dhe nevojën e italianëve për të arkëtuar të ardhura dhe në rast se Blaugranat nuk arrijnë te De Vrij, alternativat janë Romagnoli i Milanit dhe Martinez i Ajaxit.

Mourinho kërkon Vinicius te Roma
Carlos Vinicius mund t’i bashkohet ish-trajnerit të të tij Jose Mourinho te Roma. Sulmuesi i Tottenhamit, që sezonin e kaluar luajti i huazuar te Benfica, është një nga objektivët që portugezi ka në listën e tij për merkaton e verës. Numri një i stolit verdhekuq kërkon të përforcojë repartin e avancuar dhe braziliani i plotëson të gjitha kërkesat e trajnerit. Drejtori sportiv i Romës, Pinto, për t’i plotësuar dëshirën Mourinhos është gati të nisë bisedimet me londinezët. Për të arritur te kartoni i 26-vjeçarit klubi italian duhet të derdhë në arkat e “spursave” shumën e 20 milionë Eurove.

Ziyech nuk lë gjurmë, gati largimi nga Chelsea
Hakim Ziyech duket se ka gati valixhet për t’u larguar nga Chelsea, pasi “Blutë e Londrës” kanë dhënë miratimin për shitjen e 28-vjeçari, i cili u transferua në “Stamford Bridge” një vit më pare për shumën e 36.7 milionë eurove nga Ajaxi. Marokeni duket se nuk i bind drejtuesit, pasi në 39 paraqitje mes kampionatit dhe kupave ka realizuar vetëm 6 gola dhe 4 asiste, shumë larg pritshmërive të tij. Gjithashtu konkurrenca që marokeni ka në ekip me lojtarë si Mason Mount, Kai Havertz, Christian Pulisic, Callum Hudson-Odoi dhe Timo Werner, e shtyn atë drejt largimit. Ofertat për Ziyech nuk mungojnë pasi klube si Milani dhe Napoli kanë shfaqur interes për të dhe transferimi i tij drejt Italisë nuk përjashtohet.

Benatia dhe Conti objektivat e Genoas për mbrojtjen
Genoa ka nisur punën për të përforcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm. Prioritet për drejtuesit e klubit është përforcimi i repartit të prapavijës ku ndër objektivët e kryesorë janë Mehdi Benatia, të cilin mund ta afrojnë me parametra zero, pasi 34-vjeçari është pranë largimit nga skuadra e Al-Duhail ku aktivizohet që nga viti 2019 kohë kur u transferua nga Juventusi. Gjithashtu në listën e klubit kuqeblu është edhe Andrea Conti, i cili do të largohet nga Milani, pasi 27-vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit Stefano Pioli për të ardhmen.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency