Shkurt/ Bayerni piketon pasuesin e Alabas, Ruiz drejt kthimit në Spanjë
Largimi i David Alabas me parametër zero detyron drejtuesit e Bayern Munchen që të ndërhyjnë në merkato për një mbrojtës të majtë. Salihamidzic është i orientuar drejt lojtarëve të rinj dhe ka shënjestruar Emerson Royal, brazilianin që luan i huazuar te Real Betisi nga Barcelona. Këta të fundit mund të sakrifikojnë disa lojtarë këtë verë dhe janë gati të bisedojnë për shitjen e tij por kërkojnë të paktën 25 mln euro për mbrojtësin.

Pas një sezoni tjetër fantastik me Atalantën, do të jetë e vështirë që Robin Gosens të qëndrojë me ekipin e Gasperinit, ndërsa disa skuadra të rëndësishme po përgatisin ofertat për mbrojtësin gjerman. Në Itali janë Inter dhe Juventus por nuk mund të shpenzojnë 25 mln euro menjehërë në merkato, ndërsa një shumë të tillë është gati ta përmbushë Leicester City. Rodgers bleu Castagne vitin e kaluar nga Atalanta dhe raportet mes klubeve janë shumë të mira ndërsa pas konfirmimit në Champions, bisedimet mund të intensifikohen më shumë.

Diego Simeone nuk është i kënaqur me rendimentin e Dembele, i cili erdhi në janar nga Lyoni ndaj dhe po studion një emër të ri për repartin e avancuar. Trajneri argjentinas preferon një numër 9 të mirëfilltë dhe Andre Silva e tundon së tepërmi duke parë shkëlqimin e bomberit portugez. 25-vjeçari po shënon rregullisht me Eintracht Frankfurtit, të cilët po i udhëheq drejt një vendi në Champions League dhe për ta blerë në verën e ardhshme, drejtuesit e Atleticos duhet të paguajnë klauzolën 30 mln Euro.

Fabian Ruiz dëshiron ta mbyllë aventurën e tij në Serinë A me Napolin për t’u rikthyer në Primera Division. Mesfushori ka refuzuar çdo tentativë të klubit për të rinovuar kontratën, e cila skadon në vitin 2023, sepse objektivi i tij i vetëm është të luajë sërish në Spanjë. Real Madrid, Atl. Madrid dhe Barcelona janë skuadrat e mëdha të interesuara për të dhe ai nuk ka preference mes tyre, por me një president si De Laurentiis është e vështirë të negociohet, pasi numri 1 i Napolit dëshiron 50 mln euro për lojtarin. Një shifër që për momentin nuk mund ta ofrojë askush dhe për Ruiz rikthimi në Spanjë mund të shtyhet në verën e 2022.




