Shkurt/ Bilbao synon të kthejë mbrojtësin, Crespo shkarkohet nga detyra
Hernan Crespo nuk është më trajner i Sao Paolos. Klubi brazilian ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin argjentinas për shkak të rezultateve negative të skuadrës në kampionat. Palët mbyllën konsensualisht marrëveshjen, me Crespon që largohet pas 8 muajsh, ku arriti t’i jepte Sao Paolos titullin e Paulistas pas shumë vitesh. Gjithsesi, vendi i 13 aktualisht, në kampionat, dhe humbjet e fundit përkeqësuan situatën, që çuan edhe në largimin e argjentinasit nga stoli i ekipit.

Jesse Lingard është përpara një zgjedhjeje të madhe. Fantazisti anglez, i cili ka rigjetur formën më të mirë pas shumë zhgënjimesh, po mendon të largohet nga Man. United. Edhe pse Solskjaer kërkon ta mbajë lojtarin që ka kontratën drejt skadimit në qershorin tjetër, Lingard po shqyrton ofertat për të luajtur diku tjetër si protagonist. Mësohet se Barcelona dhe Milani kanë bërë përpara për futbollistin, i cili kërkohet edhe nga West Hami me Leicester, pa përjashtuar Newcastle.

Athletic Bilbao, ëndrron rikthimin e madh në skuadër. Drejtuesit e klubit bask synojnë të rikthejnë në shtëpi Aymeric Laporte, i cili është në një situatë të vështirë te Man. City, pasi nuk aktivizohet nga Guardiola. Bëhet fjalë për një operacon për verën e ardhshme, kur mbrojtësit i mbetet vetëm një vit kontratë me “Citizens” dhe për të mos e humbur falas, drejtuesit do të pranonin ofertën e Bilbaos, që nuk është i vetmi ekip që do lojtarin, por dëshira e këtij të fundit do të jetë vendimtare.

Ajaxi ka nisur kërkimet për një portier të ri. Duke parë situatën me Andre Onanan, i cili do të largohet me parametër zero verën tjetër, dr. sportiv, Overmars, ka shënjestruar një talent të ardhshëm për portën. Është 23-vjeçari, Altay Bayindir, emri i preferuar për të, ku shtatlarti nga Turqia po impresionon në radhët e Fenerbahçes. Portieri turk ka një kontratë deri në 2023 me klubin dhe në verën tjetër me një ofertë 5-6 mln euro, Fenerbahçe mund të detyrohet ta shesë pasi edhe lojtari nuk ka dëshirë të rinovojë kontratën.




