Shkurt/ Insinge mban pezull Napolin, Inzaghi pranë “divorcit” me Lazion
Vazhdon të mbetet pezull rinovimi i kontratës së Lorenzo Insignes me Napolin. Menaxherët e sulmuesit dhe drejtuesit e klubit nuk kanë përcaktuar ende një datë për t’u ulur në tavolinë dhe për të biseduar rreth së ardhmes së futbollitit. Kontrata e 29-vjeçarit me Napolin skadon në vitin 2022 dhe në rast se palët nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët, atëherë lojtari i kombëtares italiane me shumë mundësi do të largohet gjatë merkatos së verës. Presidenti De Laurentiis nuk dëshiron të përforcojë kundërshtarët e drejtpërdrejtë dhe për këtë mund ta shesë kartonin e Insignes vetëm jashtë Italisë.

Pas pesë sezonesh të suksesshme, Simone Inzaghi me shumë mundësi do të përshëndesë Lazion. Takimi mes trajnerit bardhekaltër dhe presidentit Lotito do të zhvillohet gjatë kësaj jave, për të diskutuar për rinovimin, që gjithmonë iu premtua, por asnjëherë nuk u zbatua. Sipas mediave italiane, me shumë mundësi, 45-vjeçari do ta mbyllë aventurën e tij në drejtim të skuadrës, pasi numri 1 i klubit ka evidentuar Rino Gattuson si trajnerin e ardhshëm, të cilit do t’i ofrohet kontratë 2-vjeçare. Në rast se nuk arrihet akordi me Gattuson, do të synohet trajneri aktual i Bolognës, Sinisa Mihajlovic.

Joaquín Sánchez Rodríguez, i njohur ndryshe si thjesht Joaquin, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli I luajtur. 39-vjeçari rinovoi kontratën me Real Betisin për një sezon tjetër, duke firmosur kështu deri më 30 qershor të vitit 2022. Kapiteni i skuadrës, i cili në korrik mbush plot 40 vjeç e bëri debutimin e tij pikërisht me Real Betisin në vitin 2000, për t’u transferuar më pas tek ekipi i Valencias, ku qëndroi nga viti 2006 deri në 2011. Gjithashtu Joaquin ka veshur fanellën e Malagës dhe Fiorentinës, para se të kthehej te Betisu, ku edhe me shumë mundësi do të mbyllë karrierën e tij si profesionist. 39-vjeçari është lojtari i dytë që ka luajtur më shumë në LaLiga, 579 ndeshje, pasi vendi i parë mbahet nga ish-portieri I Barcelonës, Andoni Zubizarreta me 622 sfida.




