Shkurt/ Interi synon Pessinën, Napoli gati të shesë Fabian Ruiz
Interi vazhdon të jetë aktiv në merkato. Klubi zikaltër, pasi u rrëmbeu kushërinjve kuqezi turkun Hakan Çalhanoglu, kërkon të përforcojë më tej mesin e fushës dhe mbrojtjen, duke hedhur sytë nga Pessina i Atalantës dhe Mancini i Romës. Në rast se kampionëve të Italisë u paraqitet një ofertë e mirë për Skriniar, sllovaku do të largohej dhe me shumë mundësi alternativë për ta zëvendësuar do të ishte pikërisht Mancini, nëse nuk rinovon me vedhekuqtë. Ndëra për të arritur te mesfushori i Atalantës më parë zikaltrit duhet të shesin përfundimisht Nainggolanin dhe Joao Marion.

Vazhdon të mos gjejë zgjidhje situata e Fabian Ruiz te klubi i Napolit. Mbrojtësi, kontrata e të cilit me të kaltrit përdundon më 30 qershor 2023, për të firmosur marrëveshjen e re u ka kërkuar drejtuesve të klubit rritje page, skatësisht shumën 4.5 milionë euro në sezon, aq sa përfitojnë Insigne e Mertens. Kërkesë kjo që është refuzuar nga presidenti Aurelio De Laurentiis, i cili ka dhënë “ok” për shitjen e mesfushorit gjatë kësaj merkato vereje. Numri një i klubit të kaltër ka bërë të ditur që lojtari mund të largohet nëse i paraqitet oferta prej 60 milionë eurosh.

E ardhmja e Bartlomiej Dragowski mund të jetë në Premier League. West Hami ka përshpejtuar bisedimet me Fiorentinën për të siguruar shërbimet e polakut, i cili ndiqet gjithashtu edhe nga Tottenhami dhe Interi. Hammers nuk besojnë më te Lukasz Fabianski dhe për ta zëvendësuar 36-vjeçarin mendojnë pikërisht për bashkëkombësin e tij Dragowski. Por West Hami nuk është klubi i vetëm që interesohet për 23-vjeçarin, pasi në garë për të është edhe Tottenhami, që e sheh si pasuesin e francezit Hugo Lloris, dhe Interi, që kërkon ta ketë si trashëgimtarin e Samir Handanovicit, i cili do të largohet gjatë verës nga zikaltrit.

Vera parashikohet tepër e nxehtë për Raphael Varane. E ardhmja e mbrojtësit duket larg Real Madrid, të cilët duket se e kanë humbur mundësinë për të rinovuar me francezin. Sipas medieve spanjolle, madrilenët mund ta humbasin 28-vjeçarin me parametër zero vitin e ardhshëm, pasi më 30 qershor 2022 lojtarit i përfundon kontrata me spanjollët. Varane, i cili ndiqet me interes edhe nga Paris Saint Germain, duket se ka arritur akordin paraprak me anglezët e Manchester United, të cilët kanë mposhtur konkurrencën e parizienëve. Gjithsesi në fund të Europianit do të jetë vetë futbollisti ai që do të sqarojë situatën e tij lidhur me të ardhmen.




