Shkurt/ Man. United synon Trippier, Castrovilli tremb Fiorentinën
Manchester United kërkon të rikthejë në atdhe Kieran Trippier, i cili aktivizohet në Spanjë me Ateletico Madridin, pasi u transferua nga Tottenhami në vitin 2019. “Djajtë e Kuq” dëshirojnë të përforcojnë repartin e parapavijës dhe 30-vjeçari duket se është i pari në listën e klubit anglez për merkaton e janarit.
Por për të arritur te mbrojtësi, Manchester United nuk do ta ketë shumë të thjeshtë, pasi futbollisti, kontrata e të cilit skadon në vitin 2022, është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Simeones, i cili nuk dëshiron të humbasë në asnjë mënyrë shërbimet e lojtarit.

Pezullohen për momentin bisedimet mes Fiorentinës dhe Gaetano Castrovillit për rinovimin e kontratës së lojtarit. Sipas medieve italiane, bisedimet janë vënë në “stand-by” në dakordësi mes klubit dhe menaxherëve të futbollistit, i cili nuk dëshiron shpërqendrime, pasi ka si objektiv të vetëm përqendrimin në fushën e lojës për të arritur formën maksimale. Kontrata aktuale e mesfushorit skadon në vitin 2024, por klubi nuk dëshiron surpriza, duke i ofruar 23-vjeçarit rinovimin.

Kwadwo Asamoah, i cili vazhdon të jetë pa skuadër që pas largimit nga Interi, mund të rikthehet te Udinese. Drejtuesit e klubit friulan janë vënë në kërkim të futbollistëve me eksperiencë për të ndihmuar ekipin, i cili këtë sezon ndodhet në vendin e 15-të në renditje dhe një lojtar me eksperiencën e Asamoah do ta përmirësonte shumë mesin e fushës. 32-vjeçari ka qenë pjesë e Udineses nga viti 2008 deri më 2012, për t’u transferuar më pas te Juventusi dhe Interi.

Milani vazhdon të jetë në kërkim të një mbrojtësi qendre. Drejtori sportiv, Massara, deklaroi se klubi do të shfrytëzojë çdo mundësi që do t’i jepet gjatë merkatos së janarit për përbmushur kërkesat e stafit për reapartin e mbrojtjes, ku alternativat nuk mungojnë, me Kabak të Schalkes, i cili u ka kërkuar drejtuesve të klubit gjerman largimin. Kuqezinjtë janë gati të përfitojnë nga çdo situatë e krijuar, por 20-vjeçari nuk është i vetmi që kërkohet nga klubi italian, pasi në listën e markatos ndodhen edhe Simakan i Strasburgut dhe Lovato, për të cilin Verona kërkon 20 milionë euro.




