Shkurt merkato/ Derbi roman për Pedron, Atalanta blen Pasalicin
Roma do të sfidojë Lazion në një derbi në merkato për Pedro Rodriguezin. Spanjollit i përfundon kontrata në qershor me skuadrën e Chelsea-t dhe klubet nga kryeqyteti italian do kërkojnë që të përfitojnë për ta transferuar atë me parametër zero.
Në fillim ishte klubi bardhekaltër që shprehu interes për ish-lojtarin e Barcelonës, për të cilin Tare ka gati një kontratë 3-vjeçare, me pagë 3 milionë euro në sezon. Gjithsesi, përveç Romës, në garë për shërbimet e 32-vjecarit është edhe Al Sadd, që drejtohet nga Xavi Hernandez.

Ryan Fraser është në përfundim të kontratës me Bournemouthin, por shumë shpejtë mund të gjejë një tjetër klub. 26-vjeçari pëlqehet shumë nga Arsenali, që është gati t’i bëjë një ofertë të mirë sulmuesit, në mënyrë që ta bindë të transferohet në “Emirates”, pas përfundimit të këtij sezoni. Skocezi luan që nga janari i vitit 2013 me Bournemouthin, ku u transferua nga Aberdeeni. Ai ka luajtur në total 208 takime me klubin nga jugu i Anglisë, duke shënuar 24 gola e dhënë 33 asiste.

Mario Pasalic do të bëhet me titull përfundimtar lojtar i Atalantës, pavarësisht situatës dhe problemeve ekonomike që mund të sjellë Koronavirusi. Për diçka të tillë janë të sigurta mediet italiane, të cilat shkruajnë se drejtuesit e klubit nga Bergamo janë bindur për cilësitë e kroatit.
Pasalic nga korriku i vitit 2018 luan me Atalantën, por është ende në pronësi të Chelsea-t. Për shërbimet e tij, bergamaskët kanë gati ofertën prej 15 mln eurove, në mënyrë që ai të quhet plotësisht një lojtar i tyre. Gjatë këtij sezoni, 25-vjeçari ka luajtur 23 takime, duke shënuar 5 gola dhe asistuar në 5 raste shënimi.




