Shkurt merkato/Roma ngulmon për Januzajn, Zaza drejt Villarrealit
– Drejtuesit e Romës janë të vendosur për të afruar një lojtar që do të zëvendësonte të dëmtuarin Zaniolo. Emri më i përfolur është ai i Adnan Januzajt, i cili po bën një sezon pozitiv me Real Sociedadin. Drejtues të Romës udhëtuan drejt Spanjës për të arritur një marrëveshje me klubin nga San Sebastiani. Oferta e parë e klubit nga kryeqyteti Italian është ajo e huazimit me të drejtë blerjeje për 12 milionë euro, ndërkohë që spanjollët kanë kërkuar edhe 800 mijë euro për huazim e më pas 12 milionë në rast se italianët do të vendosin të blejnë kartonin e lojtarit me origjinë nga Kosova.

– Simone Zaza mund të provojë sërish një aventurë në La liga. Sulmuesi i Torinos i ka përmbushur pritshmëritë në këtë sezon ndaj dhe drejtuesit e klubit “Granata” mendojë që ta shesin gjatë merkatos së janarit. Përveç klubeve në Serinë A, si Sassuolo apo Sampdoria, për ish-sulmuesin e Juventusit ka shprehur interes edhe Villarreali. Spanjollët kanë përgatitur një ofertë për të e nëse transferimi realizohet, për Zazën do të bëhej fjalë për një rikthim në La Liga, pasi në sezonin 2017-2018 ai luajti me fanellën e Valencias.

-Drejtuesit e Napolit mendojnë për pasuesin e Fernando Llorentes, i cili mund të largohet. Të kaltrit pëlqejnë Jean-Philippe Mateta, sulmuesin francez që luanë në Bundesligë me Mainzin. Për kartonin e 22-vjeçarit italianët kanë gati një ofertë 22 milionë euro plus bonuse, ndërkohë që është arritur një akord me agjentin e futbollistit. Për të mbyllur transferimin e francezit, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, kërkon të kuptojë nëse ka vend për një tjetër sulmues në ekip. Në rast se Llorente largohet në merkaton e janarit, atëherë afrimi i Matetas do të ishte thuajse i sigurt.
– Lucas Tousarts pritet të jetë një lojtar i Hertha Berlinit. Kështu të paktën shkruajnë mediet franceze, sipas së cilave Lyoni ka arritur një marrëveshje me klubin nga Bundesliga për shumën e 25 milionë eurove për mesfushorin. 22-vjecari do të firmosë për 5 vite e gjysmë me gjermanët, ndërkohë që sezonin aktual do ta përfundojë te Lyoni në formën e huazimit deri në qershor.



