Shkurt, merkato/ Toby Alderweireld s’ikën nga “Spurs”, Clyne drejt Crystal Palace
Toby Alderweireld i ka të qarta idetë për të ardhmen e tij. Edhe pse kërkohet me insistim nga skuadra e Romës, 30-vjeçari deklaroi se nuk ka aspak ndërmend të argohet nga “Spursat”. Aktualisht mbrojtësi është i grumbulluar me ekipin e tij për turneun veror që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në sfidën e së dielës në Iternational Champions Cup mposhtën 3-2 Juventusin. Sa u takon zërave të merakots, Alderweireld deklaroi se në futboll gjërat ndodhin shpejt, por ai nuk e mendon largimin dhe se po stërvitet shumë që ta nisë sa më mirë sezonin e ri në Premier League.
- Trajneri i Marseille, Andre Villas-Boas, kërkon përforcime për sezonin e ri në repartin e sulmit. 41-vjeçari ka hedhur sytë nga Adam Ounas, që aktivizohet me Napolin. Portugezi e shikon 22-vjeçarin si zëvendësuesin ideal të Florian Thauvin. Triumfi në Kupën e Afrikës me Algjerinë, ku Ounas realizoi tre gola, ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrava, të cilat kanë nisur interesimin për lojtarin. Për të mposhtur konkurrencën, drejtuesit e klubit francez kanë përshpejtuar tratativat me skuadrën e Napolit, që zotëron kartonin e futbollistit.

- Drejtuesit e Crystal Palace synojnë të rikthejnë në skuadër, Nathaniel Clyne, i cili ka qenë pjesë e tyre në vitet 2008-2012. Aktualisht, kartoni i 28-vjeçarit, që gjysmën e dytë të sezonit të kaluar luajti i huazuar te Bournemouth, zotërohet nga Liverpooli. Mbrojtësi shihet si pasuesi i Aaron Wan-Bissakas, i cili do të transferohet te Manchester United për 50 milionë euro.
Radamel Falcao, i cili ka edhe një vit kontratë me skuadrën e Monacos, foli për të ardhmen e tij. Ai theksoi se të gjithë e dinë se dëshira e tij është që ta mbyllë karrierën me ekipin e Millonarios, në Kolumbi, por ai shtoi se nuk e di nëse kjo gjë mund të arrihet. Gjithsesi, 33-vjeçari pohoi se për momentin do të vazhdojë të qëndrojë në Europë, pasi dëshiron ta respektojë deri në fund kontratën, që i skadon pas një viti, me skuadrën nga Principata. Në fund kolumbiani shtoi se gjëja më e rëndësishme për të është familja, duke shtuar se siguria e vajzave të tij është prioritet.



