Shkurt/ Mourinho kërkon talentin e Chelsea-t, Man. United “pazar” te Leeds
Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka hedhur sytë nga Ruben Loftus-Cheek i Chelsea, për të përmirësuar mesin e fushës gjatë merkatos së janarit. Gjithashtu, në listën e portugezit janë edhe Saul Niguez, Corentin Tolisso, Douglas Luiz dhe Denis Zakaria, por vështirë se drejtuesit e italianëve do të shpenzojnë shumë për t’i afruar të katërt lojtarët në skuadër. Duke parë situatën, numri një i stolit verdhekuq ka spostuar vëmendjen e tij tek 25-vjeçari i “bluve të londrës” Loftus-Cheek, i cili është i lidhur me londinezët deri në vitin 2024 dhe vlerësohet rreth 18 milionë stërlina, shumë të cilën italianët mund ta përballojnë duke ruajtur balancat financiare.

Manchester United vazhdon të piketojë “yjet” e Leeds United për të përforcuar skuadrën, Kështu, pas Kalvin Philips, “Djajtë e Kuq” dërgojnë vazhdimisht emisarë për të vëzhguar nga afër portierin Illan Meslier, i cili konsiderohet si një nga talentët më të spikatur në Premier League. Francezi rinovoi kontratën për 5 vjet me klubin nga Yorkshire, ku bën pjesë që nga viti 2019. 21-vjeçari është titullar i padiskuteshëm në formacionin e Bielsës dhe vështirë se trajneri argjentinas do të japë miratimin për largimin e tij. Man. United për momentin nuk ka probleme me portierët, pasi De Gea vazhdon t’i jape siguri portës së “Djajve të Kuq”, por edhe Henderson dhe Heaton janë në dispozicion. Gjithsesi, klubi e shikon Meslier si objektiv afatgjatë për të ardhmen.

Evertoni ka nisur punën për të përforcuar repartin e prapavijës menjëherë gjatë merkatos së janarit. Në krye të listës së dëshirave të klubit anglez është mbrojtësi i Dynamo Kiev, Vitaliy Mykolenko, që pëlqehet shumë nga trajneri Rafa Benitez. Për ta lënë të lirë 22-vjeçarin, që në muajin janar, drejtuesit e klubit ukrainas kërkojnë shumën e 20 milionë stërlinave dhe nuk pranojnë ulje. Sipas mediave angleze, duket se palët janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes dhe me shumë mundësi Mykolenko do të transferohet në Angli menjëherë gjatë ditëve të para të vitit të ardhshëm.




