Shpërthejnë kritikat, Upamecano dhe Sabitzer “tradhtojnë” trajnerin Nagelsmann
Julian Nagelsmann, kur nisi detyrë si trajner i Bayernit, kishte dy “aleatë” të fortë: Dayot Upamecano dhe Marcel Sabitzerin. Si qendërmbrojtësi francez, ashtu edhe mesfushori austriak, shkëlqyen nën drejtimin e trajnerit të ri te Leipzigu. Ata zbarkuan në Mynih për 57 milionë euro në total (Upa, 42, dhe 15 për Marcel). Ata dukeshin si pjesë që do tia bënin më të lehtë punë Nagelsmannit në përvojën e tij të re në “Allianz Arena”. Tani është momenti i së vërtetave të shifrave.
Legjenda e Bayernit, Matthäus, është tallur keq me qendërmbrojtësin, duke e etiketuar madje si “mish të huaj” brenda skuadrës së Mynihut. Por më alarmante është situata e Sabitzer. Pavarësisht se ka shijuar njëfarë vazhdimësie, ai nuk ka qenë në gjendje të shfaqë atë futboll që e bëri atë një nga lojtarët më të mirë në Bundesligë. I mësuar të shënojë dhe të asistojë, pas 20 ndeshjesh numëron zero gola dhe asiste.
Statistikisht, sipas portalit SofaScore, ai është futbollisti më i keq i Bayernit me një notë mesatare 6.64, duke kaluar vetëm Ulreich, portierin zëvendësues, dhe dy adoleshentët, Wanner dhe Stanisic. Edhe Rummenigge, ish-president i Bayernit, ishte i drejtpërdrejtë në fjalët e tij dy javë më parë. “Ishte një nënshkrim luksoz. Nuk e ka përmirësuar skuadrën ashtu siç e kishim imagjinuar.”
Në mbrojtje të tij doli Roger Wittmann, menaxheri i tij:
“Nëse i krahasoni paraqitjet e tij me ato te Leipzigu, mendoj se ka shumë hapësirë për përmirësim. Tani ka kaluar gjysmë e parë e sezonit, por ai nuk mundi të merrte pjesë në asnjë aktivitet parasezonal. Gjithçka u bë në ditën e fundit të merkatos. Mendoj se do të shohim një Sabitzer të ri në gjysmën e dytë të sezonit.”



