Shpresat fitojnë testin e parë ndaj Tiranës
Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve ka zhvilluar këtë të shtunë një ndeshje miqësore kundër ekipit të Tiranës në kuadër të grumbullimit 10 ditor, përpara nisjes së fushatës së eliminatoreve të Europianit 2023, ku Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë më 4 qershor në transfertë ndaj Andorrës.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-0, në favor të Shpresave.
Trajneri Alban Bushi e shfrytëzoi këtë ndeshje për të aktivizuar thuajse të gjithë lojtarët e thirrur në grumbullim, për t’i parë sa më shumë në fushën e lojës.
Pjesa e parë e lojës ka treguar një lojë mjaft të mirë për kuqezinjtë, të cilët arritën të shënojnë golin e avantazhit në minutën e 18-të të takimit me anë të Karricës.
Në fraksionin e dytë të lojës, djemtë kuqezi shënuan edhe dy herë të tjera, me mbrojtësin Korça, i cili dyfishoi rezultatin në minutën e 60-të dhe dymbëdhjetë minuta më vonë, Karrici shënon golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën.
Shqipëria U-21 e nisi lojën me këtë formacion: Laroshi, Dragoshi, Salihu, Pëllumbi, Ismailgeci, Çelhaka, Asllani, Hetemi, Karrica, Muci, Mehmetllari.



