“Shpresoj që klubi ta mbajë premtimin”, trajneri “presion” drejtuesve për mesfushorin
Kalvin Phillips i Leeds është një nga lojtarët më të kërkuar në merkato, sidomos për Manchester United që në verë pritet të humbasë shërbimet e Paul Pogba. Lojtari i kombëtares angleze shihej si i duhuri për të rivendosur rendin në mesfushën e United, mirëpo në klubin e Leeds nuk janë dorëzuar për xhevahirin e tyre, madje trajneri Jesse Marsch duket i bindur se mesfushori do të qëndrojë në Elland Road të paktën edhe për sezonin e ardhshëm.
“Kalvin është i lumtur që Leeds ka refuzuar ofertat në merkato, nuk ka kërkuar asnjëherë të largohet nga skuadra. Dhe nuk ka asnjë qëllim ta bëjë këtë as në merkaton e verës. E di që ofertat për Kalvin mund të jenë të larta dhe ato shifra do të ishin rekord për Leeds dhe lojtarin, megjithatë shpresoj që klubi ta mbajë premtimin dhe t’i ofrojë një kontratë të re”, u shpreh Marsch.
Aktualisht, Phillips përfiton 38.000 paund në javë, mirëpo me rinovimin e kontratës, 26-vjeçari do të përfitojë një shifër shumë më të konsiderueshme për t’u bërë më i paguari në klub, por edhe një nga më të vlerësuarit në Premier League.



