Kategoria Superiore

Shtatë gola në dy ndeshje, Laçi zbulon Starovën “sulmues”

Sulejman Starova dhe Laçi, një binom që duket se funksionon, e madje për çudinë e të gjithëve, duke ndryshuar nga pak edhe stereotipin e krijuar për trajnerin dhe skuadrën.

Laçi është formacioni që problemin më të madh në këtë sezon ka patur gjetjen e golit, është detyruar ta luajë pjesën më të madhe të tij pa një sulmues të mirëfilltë dhe finalizimi ka qenë një problem më vete.

Sulejman Starova në profilin e tij të krijuar ndër gjithë këto vite konsiderohet gjerësisht një trajner i fokusuar kryesisht te mbrojtja, një Marcelo Lippi në versionin shqiptar, që i mjafton të fitojë 1-0 apo 2-1 pa preferuar të hidhet në aventurë.

Ndërthurja e rrugëve të tij me Laçin, ka ndryshuar nga pak fizionominë e të dyja palëve, pasi bardhezinjtë kanë shënuar 7 gola në 2 ndeshjet e fundit, një 2-0 në Kupë përballë Tiranës ku Laçi ishte një grimcë larg një kualifikimi, një manita që në skuadrën kurbinase nuk përjetohet prej 5 vitesh, kundër rivales direkte për Europën, Teutës.

Duke përjashtuar sfidën e debutimit të Starovës në stolin e Laçit me Flamurtarin, në të treja ndeshjet e tjera kurbinasit e kanë shënuar të paktën një gol. Shënojnë të gjithë, por mbi të gjitha Redon Xhixha, 3 gola për të në dy ndeshjet e fundit në kampionat, një shpërthim i vërtetë i 20-vjeçarit që premton shumë.

Sulmi funksionon dhe në të njëjtën kohë, mbrojtja që kishte nisur të pësonte më shumë se sa duhet, me Starovën është blind, pasi ka pësuar vetëm një gol në katër ndeshjet me të në drejtim. Bobi është rikthyer, Laçi po ashtu.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency