Shtegtimi larg shtëpisë, një minus i madh për Laçin
Laçi është surpriza më e këndshme e këtij kampionati me ecurinë fantastike pa humbje në 8 javë. Skuadra e Artan Mërgjyshit është një makinë që funksionon në perfeksion, duke i sfiduar të mëdhatë e këtij kampionati, me grintën, lojën dhe rezultatet e marra. Megjithatë, surprizat janë përpara për kurbinasit, që tashmë do të nisin maloren, pasi përveçse do të shihen me një tjetër sy nga rivalët duhet të bëjnë llogaritë me shtegtimin.
Fusha e stadiumit të Laçit nuk ka mbajtur më dhe, siç është bërë e ditur, drejtuesit kanë nisur punimet për ta rikthyer në parametrat maksimale. Bardhezinjtë do t’i luajnë gjetkë ndeshjet shtëpiake, duke nisur nga kjo javë e 9-të, pasi Teutën e presin në “Elbasan Arena”. Eksperienca e një shtegtimi të tillë nuk është pozitive në Superiore, pasi e kanë provuar më parë shumë skuadra. Partizani në sezonin 2016-2017 ka luajtur plot 9 ndeshje, ose më saktë gjysmën e sezonit, në “Elbasan Arena”, pasi në “Qemal Stafa” kishin nisur punimet.
Të kuqtë në atë periudhë ndjenin shumë mungesën e faktorit fushë, pasi në llogarinë e tyre do të regjistroheshin 5 fitore dhe 4 barazime. Këtë edicion, është Kukësi që e ka nisur me sfidat shtëpiake larg “Zeqir Ymerit”. Formacioni i Armando Cungut në 5 ndeshjet e deritanishme ka regjistruar 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Shembujt nuk japin sinjale pozitive, por është fakt që edhe në “Selman Stërmasi” apo “Zeqir Ymeri” Partizani dhe Kukësi kanë lënë pikë.
Laçi nuk ka një mbështetje të madhe në shkallët e stadiumit, por në aspektin psikologjik është një bonus për bardhezinjtë të luajnë në shtëpinë e tyre, aty ku madje kanë bërë edhe historinë në Europë.



