Shtyrja kampionatit boshatis infermieritë
Vendimi për ta rifilluar kampionatin më 31 Marsit mund të konsiderohet një lajm i mirë për skuadrat e Superiores. Jo vetëm përmirësimi i kushteve në terrenet sportive, por edhe rikuperimet nga dëmtimet kanë rikthyer buzëqeshjen e stafeve teknike, pasi në fundjavë priten që në fushë të jenë shumë lojtarë të cilët do të mungonin nëse java e 27-të do të zhvillohej të mërkurën.
Pothuajse të gjitha skuadrat kanë probleme me dëmtimet e javëve të fundit, duke bërë që për trajnerët alternativat të ishin të pakta. Gjatë këtij sezoni kemi parë jo pak raste kur në fushë ekipet kanë zbritur të “arnuara”, me lojtarë që nuk kanë luajtur në pozicionet e tyre ideale, ose në rastin më të keq janë thërritur elementë nga të rinjtë. Dëmtimet dhe pezullimet kanë detyruar trajnerët të ndihen të dorëzuar, por në një moment të tillë të sezonit shtyrja e kampionatit vjen si oksigjen për ta.
Nëse pezullimet për arsye kartonësh nuk mund të fshihen, lojtarët e dëmtuar janë ata që fitojnë kohë me infermieritë që boshatisen. Në këtë mënyrë nuk cënohet gara e cila bëhet akoma më e fortë dhe me më shumë rivalitet, për më tepër që muaji prill shihet si një periudhë e ngjeshur me ndeshje, pasi skuadrat sidomos katërshja pjesëmarrëse në Kupë do të duhet të luajnë çdo 3 ditë.



