Si shtyllat katrore i mohuan Champions-in francezëve të St. Ettiene
Nuk është Lyoni, as Marseille dhe madje as Skuadra me më shumë tituj kampionë në Francë është St. Ettiene, që ia ka dalë të triumfojë plot 10 herë në Ligue 1 dhe është i vetmi ekip që mban dy yje mbi logo në fanellë.
“Les Verts” (Jeshilët) siç njihen në Francë, kanë plot 40 vite që janë ngjitur në krye të listës së skuadrave me më shumë tituj kampionë në Francë, teksa ndiqet nga Marseille me 9 dhe po aq dhe PSG që është ngritur ndjeshëm në vitet e fundit me Al Khelaifin president.
Historia e St. Ettiene ia vlen të tregohet, jo vetëm për faktin se është skuadra më e titulluar në Francë, por mbi të gjitha sepse është fantastike e dramatike në të njëjtën kohë.
Gjithçka ka nisur në vitet ’60, kur St. Ettiene u rikthye në elitën e futbollit francez dhe menjëherë fitoi titullin kampion dhe më pas në 5 vitet e ardhshme, ia doli të fitojë titullin edhe 4 herë të tjera, ndërsa gjatë asaj kohe skuadra drejtohej nga Albert Batteux, ndërsa ylli i ekipit ishte Salif Keita, i ardhur nga Mali, që sapo zbriti në Paris, i kërkoi taksistit ta dërgojë menjëherë në stadiumin e “Les Verts”, ndonëse bëhej fjalë për 500 km distancë.
St. Ettiene i atyre viteve ishte pak a shumë si PSG-ja e ditëve të sotme (me më pak para për të shpenzuar), që dominonte dhe fitonte lehtësisht në Francë, derisa në një moment presidenti Rocher mendoi se kishte ardhur koha të tregonte forcën edhe në Europë dhe ia beson drejtimin e skuadrës ish mesfushorit të ekipit, Robert Herbin, që ishte 33-vjeç dhe sapo kishte lënë futbollin.
Herbin nuk kishte eksperiencë si trajner, por idetë i kishte të qarta dhe i kushtoi menjëherë rëndësi aplikimit të përgatitjes atletike, për të ngushtuar diferencat në aspektin fizik me skuadrat e tjera të Europës.
Ideja e tij ishte njësoj si ajo e Johan Cruyiff, për të vënë të rinjtë në qendër të projektit dhe u mbështet shumë edhe nga drejtori sportive e presidenti i asaj kohe, teksa një nga çmenduritë e Herbin, ishte që mori Osvaldo Piazza nga Velez në Argjentinë dhe e bëri qendërmbrojtës, por duke i dhënë lirinë që të galopojë me topin deri në zonën kundërshtare sa herë që t’i jepej mundësia.

Skuadra atëherë mbahej mend edhe për përmbysjet e mëdha, dhe cilësohej e çmendur, ashtu si vetë trajneri, që në një ndeshje vendimtare për titullin, luajti vetë titullar dhe shënoi madje edhe golin e fitores, duke vulosur gjithçka.
Në sezonin 1975-1976 duket se kohët janë pjekur për të fituar Ligën e Kampionëve, teksa atëherë skuadra kishte një tjetër yll Si Dominique Rocheteau, që cilësohej edhe si “engjëlli jeshil” dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur, ishte t’i bëje faull.
Në finale St. Ettiene u përball me Bayernin e Mynihut, që kishte yje si Franc Beckenbauer, Sepp Maier e Gerd Muller, me gjermanët që kishin fituar Championsin dy herë radhazi dhe e kërkonin për herë të tretë.
Finalja luhet në “Hampden Park’ të Glasgow-t në Skoci dhe stadium është ngjyrosur i gjithi në jeshil, por ka një detaj të vogël, që e bën edhe dramatike historinë e “les Verts’, pasi shtyllat janë këndore dhe jo të rrumbullakëta si në pjesën tjetër të Europës.
Janë pikërisht të mallkuarat “Poteaux carres” (shtyllat këndore) ato dy fjalë që shkruajnë notat dramatike të historisë së St. Ettiene, pasi për shkak edhe të fatit të keq, do t’i heqin mundësinë skuadrës për të fituar Ligën e Kampionëve.
St. Ettiene dominon ndaj Bayernit dhe bën gjithçka në mënyrë perfekte, por në dy raste topi prek pjesën e brendshme të traversës dhe nuk hyn gol, por pikërisht në këtë moment hyjnë në lojë gjermanët cinikë, që rrinë gjithë kohës mbrapa dhe në të vetmen zbritje të rrezikshme, ia dalin të shënojnë golin që i shpall kampionë Europe.
Tetë minuta nga fundi, Herbin hedh në fushë talentin Rocheteau, që tërbon mbrojtjen bavareze dhe i jep mundësi Revellit të shënojë, por ky i fundit nuk kishte më energji në këmbë dhe dërgon topin në duart e Sepp Maier.
Gjatë verës disa shkencëtarë të licencuar studiuan goditjet dhe dolën në konkluzionin se të dyja do të kishin përfunduar në rrjetë, nëse finalja do të luhej me shtylla të rrumbullakëta, siç edhe është sot detyrim për çdo stadium që pret një ndeshje futbolli.
Megjithatë St. Ettiene u rikthye si triumfatore në Francë, pasi në ligën vendase bënte ligjin, ndërsa titullin e fundit kampion e ka fituar më 1982-shin, me Michel Platini në sulm, i cili më pas u shit te Juventus dhe aty nisi rënia e skuadrës më të titulluar në Francë.
Që nga ajo kohë, St. Ettiene ka fituar vetëm një herë Kupën e Francës në sezonin 2012-2013, në një finale ndaj Rennes, ku protagonist u bë sulmuesi nga Gambia, Pierre Emenick Aubameyang. Sezonin aktual Les Verts e kanë nisur në mënyrën më të keqe, pasi numërojnë 4 humbe e 4 barazime në 8 javët e para dhe pozicionohen të fundit në renditje.



