Sigal Prishtina mposhtet dhe le të hapur çështjen e kualifikimit
Sigal Prishtina lëshoi rastin e parë që të kualifikohet në mesin e 16 skuadrave më të mira në FIBA Europe Cup, pasi humbi në shtëpi nga skuadra belge Belfius Mons me rezultat 75:69, edhe pse në pjesën më të madhe të ndeshjes djelmoshat tanë ishin në epërsi.
Belgët morën revanshin për humbjen e parë që e pësuan nga Prishtina 74:72, pas një paraqitje shumë të mirë në çdo element loje, e sidomos në fazën e mbrojtjes në 12 minutat e fundit, kur edhe nisi të thyhej loja përkundër 5 apo 6 pikëve që kryesisht kishte Sigal Prishtina nga fillimi i ndeshjes.
Gabimet e shumta personale e penalizuam shumë Sigal Prishtinën, sepse pikërisht në momentet kur duhej mbrojtja më agresive dhe t’iu pamundësoheshin pikët e lehta mysafirëve, pikërisht atëherë dështuan dhe kjo u kushtoi në fund.
Deri në 3 minutat e fundit të periudhës së 3-të, Prishtina kishte epërsinë në rezultat dhe kur filloi lodhja e fundorit Lawrence dhe e Dardan Berishës, që ishte gati-gati i pandalshëm, të tjerët nuk u treguan efikasë, por duhet ta pranojmë edhe një fakt tjetër, që Sigal Prishtina këtë herë luajti shumë në mënyrë individuale dhe kur nuk luan si ekip, atëherë humb gjithmonë.
Më efikasit të mysafirët ishin Garlon Green me 20 pikë, ndërsa Christopher Jones dhe Juvonte Reddiç i shtuan nga 15 pikë secili. Te Prishtina u dalluan Dardan Berisha me 33 pikë dhe Andrew Lawrence me 11 pikë, ndërsa të tjerët nuk shënuan pikë dyshifrore.
Mundësia e fundit për Sigal Prishtinën mbetet 6 dhjetori, kur palestrën e sporteve në Prishtinë e viziton skuadra turke Demir Insaat dhe deri atëherë skuadra kosovare mund të përgatitet maksimalisht, sepse është në pyetje kualifikimi historik.



