Kategoria Superiore

Simoni zbulon problemin e Dinamos, Vanoli thumbon paraardhësit: Nuk jeni pa faj!

Dinamo luan finalen e parë të sezonit të tij këtë të hënë me Kastriotin. E gjendur në situatën e pamenduar të mbijetesës, blutë në “Elbasan Arena” ndaj një rivali direkt nuk kanë rrugë të mesme, me trajnerin Rodolfo Vanoli që u përpoq të shkundte ekipin nga letargjia e sfidës me Egnatian, duke e bërë të qartë që ka ardhur koha për të marrë përgjegjësi për situatën.

Situata nuk është e thjeshtë, por për sa kohë që unë jam përpara jush unë jam i gatshëm për të provuar për ta ndryshuar atë. Dinamo është një emër i madh dhe unë, pavarësisht se për një kohë të shkurtër, e kam përzemër. Më vjen keq dhe për presidentin që ka investuar pa fund, por tani ka ardhur momenti që ne të marrim përgjegjësitë tona.

Nuk duhet thjesht presidenti dhe unë të jemi të përgjegjshëm, por të gjithë. Ka shumë kritika ndaj Dinamos, ka njerëz apo ish drejtues që përpiqen të shpëtojnë fytyrën e tyre dhe dalin e flasin nëpër media, por nëse jemi këtu ku jemi, është përgjegjësi edhe e atyre njerëzve që kanë punuar për 9 muaj në këtë klub. Ka ardhur momenti që të gjithë të lëvizin të ndenjurat dhe të bëjnë maksimumin. Unë për sa kohë jam këtu besoj ende“.

Ndeshja me Kastriotin nuk ofron asnjë mundësi përveç fitores dhe trajneri italian kërkon që skuadra të fillojë të krijojë vazhdimësi. “Ne na nevojitet vazhdimësi. Kjo është ajo që na mungon, Luajmë mirë ndaj Tiranës, më pas gabojmë me Egnatian. Nuk është çështje skeme kjo. E njëjta skemë u përdor dhe me Tiranën, por është çështje që skuadra nuk ka vazhdimësi rezultatesh. Kastrioti ka 4 fitore 1 barazim në 5 ndeshjet e fundit. Kjo gjë ne na mungon. Nëse duam të shpëtojmë kjo është ajo për të cilën kemi nevojë“.

Vanoli gjithashtu bërë të ditur se nuk ka asnjë çështje Sofranac apo Imami: “Sofranac nuk u ndje mirë përpara ndeshjes me Egnatian, ndërsa Imami ka qenë i dëmtuar. I pari do të jetë me Kastriotin, i dyti do të vazhdojë të mungojë. Përpara se të flitet për situata të ndryshme brenda ekipit në lidhje me këta dy lojtarë, duhet njohur ambienti i klubit dhe si është gjendja brenda ekipit, jo të ngrihen akuza të paqena“.

Për të karikuar ambientin përpara ndeshjes me Kastriotin, Vanoli mori në konferencë për shtyp dhe Simon Simonin, i cili pavarësisht se i ri në moshë, foli si një lojtar i pjekur duke e bërë të qartë se ekipi duhet të luajë me zemër nga tani e mbrapa nëse kërkon të shpëtojë.

Në ndeshjet e fundit ne na ka munguar zemra. Nuk kemi patur karakterin e duhur në fushë, duhet të ndryshojmë. Më vjen shumë keq që jemi në këtë situatë, por nëse duam ta ndryshojmë duhet të luajmë me zemër“, deklaroi portieri 17-vjeçar.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency