Situatë e sikletshme në “La Scala”, Mourinho largohet befasisht nga skena
Ndonëse organizatorët ishin kujdesur që të ishte një organizim spektakolar, nuk ka shkuar gjithçka në mënyrë perfekte në mbrëmjen gala të FIFA-s, të organizuar në teatrin e Milanos “La Scala”, ku u ndanë çmimet për më të mirët e vitit.
Kështu pas “akullit” të krijuar mes Cristiano Ronaldos dhe “qeverisë” së futbollit botëror, nuk mungoi as një situatë e sikletshme mes trajnerit portugez Jose Mourinho dhe prezantueses Ilaria D’Amico, që është njëkohësisht edhe e fejuara e Gigi Buffon.
Tekniku portugez e mori me sportivitet pyetjen se kush mund ta stërvitë formacionin më të mirë të shpallur nga FIFA, duke dhënë një përgjigje që shkaktoi të qeshura e humor në sallë, por vazhdimi i dialogut më pas, duket se nuk i pëlqeu dhe u largua nga skena.
“Formacionin më të mirë mund ta stërvitë ndonjë trajner i papunë si unë dhe Capello, apo Zenga, sepse të tjerët nuk mund të stërvitin dy skuadra njëkohësisht”, tha portugezi, ndërsa D’Amico e vazhdoi bisedën duke i ngacmuar për sinqeritetin që ka kur thotë se është i papunë.
Por kjo batutë e prezantueses nuk “i ndenji” mirë Mourinhos, që la skenën dhe u largua, pavarësisht këmbënguljes së D’Amicos që ai të qëndrojë akoma aty.




