La Liga

Skandal te Barcelona, klubi paguan për t’i prishur imazhin Messit!

Makina e baltës rrezikon të njollosë në mënyrë të pashlyeshme Barcelonën. Emisioni “El Larguero” i radios spanjolle Cadena Ser denoncoi një lidhje mes Barcelonës dhe Kompanisë I3 Ventures.

Sipas radios, klubi katalan i ka paguar 1 milion euro kompanisë në fjalë, shifër e transferuar nëpërmjet 6 pagesave më të ulëta se kufiri prej 200 mijë eurosh (shifra për të cilat nuk ka nevojë për autorizimin e juntës drejtuese), për të krijuar dhe menaxhuar llogari në rrjetet  sociale, për të diskredituar dhe hedhur baltë mbi disa persona, mes të cilëve Messi dhe bashkëshortja e tij Antonella, Pique, Xavi, Guardiola, presidentin e Mediapro Roures dhe ish-presidentin katalan Puidgemont.

Barcelona u mbrojt me një komunikatë, në të cilën këmbëngulte se ka një bashkëpunim me I3 Ventures, por vetëm për të monitoruar fluksin e mesazheve në rrjetet sociale, që kishin të bënin me klubin, duke shtuar se I3 Ventures nuk kishte asnjë lidhje me profilet në rrjetet sociale të denoncuara nga Radioja Cadena Ser.

Por gjatë natës, mes së hënës dhe së martës, radioja publikoi një dosje me 36 faqe, në të cilat konfirmohet menaxhimi i llogarive në rrjetet sociale, për të cilat bëhet fjalë, nga ana e kompanisë I3 Ventures. Pak më vonë, dy nga sajtet e kompanisë I3 Ventures, të lidhura me skandalin, u mbyllën menjëherë.

Në pritje të një përgjigjeje të re nga ana e klubit, polemikat po shtohen. Roures, presidenti i MediaPro, demonstroi publikisht faktin se ndihej keq për sa ka dalë në dritë dhe shqetësimin për përdorimin e papërshtatshëm të të ardhurave të klubit, që mbeten në pronësi të ortakëve.

Patjetër që ky skandal do të sjellë përplasje ligjore në sallat e gjyqeve, por më shqetësuese për juntën e presidentit Bartomeu është tensioni në raport me dhomat e zhveshjes dhe mbi të gjitha me kapitenin Leo Messi, që pasi u konfrontua publikisht me Eric Abidalin, për çështje të tjera, patjetër që do të jetë jashtëzakonisht i irrituar kur ka marrë vesh se klubi punon pas krahëve të tij për t’i nxirë imazhin.

Leo ende nuk është prononcuar, por ky skandal komplikon edhe më tepër raportet tanimë të tensionuara, ndërkohë që në sfond mbetet fakti që në qershor Messi mund të largohet me parametër zero, pavarësisht se ka një kontratë deri në vitin 2021.

Presidentit Bartomeu duhet të kërkojë ta menaxhojë sa më shpejt situatën, pasi në Barcelona ka nisur të flitet për zgjedhje presidenciale të parakohshme. Mandati aktual i Bartomeut skadon në vitin 2021 dhe presidenti i ka ezauruar mundësitë për t’u rikandiduar.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency