Skandali tek Ajaxi/ Akuzohet për abuzim seksual, jep dorëheqjen nga posti i drejtorit sportiv
“Tërmet” në klubin më të famshëm të Holandës, Ajax i Amsterdamit. Marc Overmars dha dorëheqjen nga posti i drejtorit teknik të kampionëve të Eredivisies pasi pranoi se u kishte dërguar mesazhe të papërshtatshme me sfond seksual disa kolegeve të tij.
Overmars ish-lojtar i Ajaxit, Arsenalit, Barcelonës dhe Holandës ka qenë një nga anësorët më të fortë në vitet nëntëdhjetë. Overmars pranoi se e kuptoi që e kishte kaluar kufirin vetëm ditët e fundit”
“Sigurisht që për dikë në pozicionin tim, kjo sjellje është e papranueshme. Tani po e kuptoj, por është tepër vonë. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër përveç largimit nga Ajax. Kjo ngjarje ka një ndikim të madh në situatën time private. Prandaj u kërkoj të gjithëve të më lënë vetëm me familjen time.”
48-vjeçari Overmars e nisi punën si drejtor teknik i Ajaxit një dekadë më parë. Kryetari i bordit mbikëqyrës të Ajax-it, Leen Meijaard, reagoi shumë ashpër për këtë skandal, duke thënë se “është shkatërruese për gratë që u është dashur të përballen me këtë sjellje. Ne vepruam menjëherë, duke diskutuar me kujdes dhe duke peshuar se çfarë ishte gjëja më e mirë për të bërë në konsultim me CEO-n, Edwin van der Sar. Marc është ndoshta drejtori më i mirë i futbollit që ka pasur Ajaxi. Për fat të keq, të vazhdonte si drejtor nuk ishte një opsion. Është jashtëzakonisht e dhimbshme për të gjithë. Dua të shpreh dëshirën që të gjithë të përfshirëve t’u jepet qetësia dhe privatësia për ta kaluar këtë situatë.”



