Shkëmbi: Laçin vështirë ta mposhtësh, kryesimi meritë e lojtarëve
Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, paralajmëron skuadrën e tij para sfidës me Laçin, pavarësisht rezultateve të dobëta të kundërshtarit në këtë fillim sezoni.
“Me Laçin do të jetë një ndeshje e vështirë, duke marrë parasysh kundërshtarin. Është rival i fortë, pavarësisht rezultateve jo të mira deri tani. Laçi ka një ekip të kompletuar, shumë të mirë. Për më tepër, në fushën e tij është e vështirë ta mundësh. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin tonë për të marrë rezultatin që duhet.”
Mungesa e golave: Jam i kënaqur me çfarë dha ekipi kundër Flamurtarit. Luajtëm gjithë kohën në sulm, por nuk është e lehtë të shënosh shumë gola në futbollin e sotëm. Fitorja vlen mbi gjithçka. Nuk jam shumë dakord që ishte vetëm një inkursion i Kallakut. Vërtetë ishte një perlë e tij, një veprim teknik për t’u admiruar, por derisa u shënua goli kemi pasur 22 pasime. Topi nisi nga portieri dhe shkoi deri aty. Flamurtari nuk ishte aq i dobët, siç mund të duket në letër.
Teuta pa Fantazi? Nuk më pëlqen të bëj gabimet që bëjnë të tjerët, që të them se, kur kam luajtur unë, futbolli ishte më i mirë. Nuk e kemi problem fantazinë te Teuta, pasi luajmë me Kallakun. Ai e bën shumë mirë këtë detyrë, por kemi edhe Avdylin.
Sulmuesit nuk po shënojnë: Nuk më vjen mirë që kjo ndodh. Ata bëjnë maksimumin në stërvitje, punojnë shumë, ndaj vazhdoj të besoj se do të rikthehen te golat. Patjetër, sulmuesit do të jenë një ndihmë e madhe për ekipin.
Teuta, e para: Këtu punohet me dëshirë të madhe për rezultate të mira. Nuk është meritë vetëm e stafit. Merita kryesore iu takon lojtarëve, që kanë uri për sukses. Kjo gjë më pëlqen dhe na ndihmon shumë ne si staf teknik.
Reagimi i Vrapit: Jam i pari i kësaj pune dhe nuk bëj asgjë me shoqëri e miqësi. Çfarë kam pasur, ndryshe nga të tjerët, nuk i them gjërat nëpër gazeta, por njerëzve përkatës në sy. Kjo është përgjigjja më e mirë. Unë vazhdoj ta falënderoj Vrapin për ndihmën e madhe që na dha sezonin e kaluar.



