Skënder Gega: Në Korçë vetëm humbja është zhgënjim
Skënder Gega, si gjithnjë i kujdesshëm në prononcimet e tij para çdo ndeshjeje të kampionatit. Para transfertës me Skënderbeun në Korçë trajneri i të kuqve foli për shumë tema, nga faza përgatitore, merkatoja dhe sfidat që e presin Partizanin.
“Kemi zhvilluar një fazë përgatitore jashtëzakonisht të mirë, duke luajtur edhe 3 ndeshje miqësore. Jemi të kënaqur me lojtarët e afruar, shpresoj që të kemi bërë goditjet e duhura, megjithatë nesër na pret një sfidë e re dhe momentalisht mendojmë vetëm për këtë takim”.
Përballja me Skënderbeun?
Eshtë e vërtetë që kemi patur vështirësi. Në përballjet me Skënderbeun edhe pse kemi zhvilluar lojëra të mira, nuk kemi marrë maksimumin. E njohim dhe e vlerësojmë Skënderbeun, sepse është një ekip i mirë , pavarësisht se në periudhën e fundit nuk është ai Skënderbe. Jemi të fokusuar te puna jonë do të shkojmë në Korçë të bëjmë më të mirën, atë që ne dimë të bëjmë.
Paraqitja në kupë?
Jam jashtëzakonisht i kënaqur me impenjimin e skuadrës edhe pse të jem i sinqertë terreni ishte i rënduar. Megjithatë, më bën mjaft optimist dëshira dhe impenjimi që grupi tregoj ndaj Kastriotit.
Formacioni ndaj Skënderbeut?
Aktualisht kemi 25 lojtarë, jam munduar që ditën e parë e deri më sot t’u jap të gjithëve hapësira. Eshtë një proces i vazhdueshëm dhe çdo javë mund të ndryshojnë gjërat. Për mua është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë që ai që bën diferencën do të jetë titullar.
Merkato?
E mira s’ka fund. Deri më 31 Janar klubi po punon dhe shpresoj të sjellë dikë të na japë shumë shtysë, pa hequr punën e grupit që është aktualisht. Kam dëgjuar dhe lexuar gjëra sa u përket dëshirave të mia, por nuk kam shprehur. Lum Rexhepi, që është sot këtu, dhe Duka kanë qenë dëshirat e mia, pasi unë i njoh, i kam parë. Në bashkëpunim me klubin kemi afruar edhe lojtarë të tjerë, shpresoj të mos jemi gabuar dhe të kemi bërë goditjet e duhura.
Do t’ju kënaqte edhe një barazim në Korçë?
Mendoj se vetëm humbja nuk është sukses. Karshi Skënderbeut, të dy rezultatet janë të pranueshme. Ne kemi mënyrën tonë, jemi përgatitur për këtë takim dhe nesër t’ia lemë fushës.
Eksperienca juaj gjatë këtyre 6 muajve të Partizani?
Të jem i sinqertë, nga qershori e deri sot kanë qenë ditët më të mira që unë kam patur në karrierë. Kam punuar edhe jashtë Shqipërisë, ku kam përfituar vlerë monetare shumë më tepër. Por sot, shpirtërisht, jam shumë i kënaqur. I jam mirënjohës klubit, lojtarëve, tifozëve e çdo njeriu që më ka mbështetur, kështu që për mua është shumë e rëndësishme që jam pjesë e këtij grupi dhe do të vazhdoj projektin. Pa dashur të krijoj mosrespekt për kundërshtarin unë besoj se jemi ekip që e kemi merituar vendin e parë. Nuk i shoh ndeshjet direkte si matëse, unë shikoj vazhdimësinë. Synimi ynë është fundi i kampionatit dhe aty do ta shoh nëse kemi bërë mirë apo jo. Kemi nxjerrë konkluzione për dy ndeshjet që kemi luajtur ndaj Skënderbeut dhe shpresoj që nesër të korrigjojmë gabimet e të japim më tepër.
U druheni aleancave?
E vlerësoj që çdo kundërshtar që luan fort kundër Partizanit, sepse do të thotë që ne kemi vlera, ne jemi dikush dhe po të mos ishte kjo ndoshta vlerat do të zbeheshin. Kjo do të jetë një nxitje për ne, jo vetëm ndeshjet në kompeticionet europiane që na japin atë adrenalinën që të japim maksimumin, por edhe brenda kampionatit tonë kluet kanë vlera dhe nëse kundërshtari luan ndaj nesh më fort se ndaj të tjerëve na jep vlera dhe e konsideroj pozitive.
Jeni më i qetë pas rinovimit?
Nuk kam patur shqetësim, të jem i sinqertë. Shqetësimet e mia kanë qenë në fillim pasi nuk e njihja grupin dhe doja të krijoja fizionominë që doja të bëja. Për fat të mirë, gjërat kanë shkuar ashtu siç i kishim parashikuar. Nuk është se jemi absolutë dhe jo çdo zgjedhje ka qenë perfekte, por jam munduar të krijoj balanca, jam munduar t’i jap çdokujt atë që meriton dhe nga ajo që kemi dhënë jemi këtu. Kam lexuar në media shifra marramendëse dhe nuk janë në të vërtetë as për mua as për lojtarët. Lexova edhe për Dukën që ishte mbuluar me flori, por s’besoj se në Shqipëri ka flori. Nuk janë reale shifrat që publikohen.
Shkëputje me Skënderbeun?
Eshtë një sfidë direkte dhe kemi edhe 17 ndeshje të tjera. Unë si trajner dua ta çoj ekipin aty ku mendoj dhe, nëse marrim 3 pikët me Skënderbeun, jemi komod, por edhe nëse ndodh e kundërta, duhet të dimë të ngrihemi. Duhet ta marrim çdo javë një nga një.
Komentet e Gjicit dhe ish-trajnerëve?
Eshtë mendimi i tyre dhe ecuria jonë është sfida. Sa i përket presidentit Gjici, nuk mund të komentoj gjë, sepse janë argumentet e tij dhe perceptimi i tij dhe nuk jam në gjendje të përcaktoj gjunjët e Kukësit asnjëherë. Ai ka folur për gjunjët tonë, por besoj se i kemi të fortë.
Nëse vjen një sulmues, sa të lehtë do ta ketë të integrohet me skuadrën?
Nëse nuk integrohet një lojtar në javët e para, ka javë të tjera. Me apo pa Gegën Partizani do të forcohet edhe më shumë. Nuk mund ta cili do të afrohet, por di që firmë ende nuk ka. Kemi biseda me shumë lojtarë, nuk është në dorën tonë, ne japim ofertën tonë dhe ata kanë kërkesat e tyre. Unë jap mendimin dhe idenë që kjo duhet, por janë dy palë. Eshtë klubi dhe Drejtori që po punojnë besoj edhe shpresoj që të na vijë në kohën e duhur dhe njeriu i duhur.
Ndërhyrje në merkato?
Unë kam punë vetëm me klubin, në Shqipëri ka shumë palë, është e drejta e tyre të merret çdo menaxher, nëse ata e gjejnë gjuhën e përbashkët me klubin dhe klubi më sugjeron dhe më jep atë që duhet unë patjetër që e quaj bashkëpunim.
Mungesat e Skënderbeut?
Unë do të hyj në lojë sikur kundërshtari ka 5 pluse dhe jo 5 mungesa. Nuk kemi pse të flemë, pasi Skënderbeu është ekip i mirë edhe me 5 mungesa. Duhen marrë të gjitha skuadrat seriozisht. Nëse dikush mendon ndryshe nuk ka lidhje me futbollin.



