Kategoria Superiore

Skënderbeu bën 600 fitore në elitë, por situata zbeh suksesin ndaj Kastriotit

Nga Ylli Aga

Ajo ndaj Kastriotit nuk ishte ndonjë fitore e bukur. Ndonëse me dy gola ndaj kundërshtarit më në formë të kampionatit, sërish stadiumi nuk e mori në asnjë moment bukurinë me të cilën na ka mësuar prej më shumë se një dekade.

Edhe emocioni nuk ishte i njëjtë. Entuziazmi dhe pesha e tifozëve sërish ishte deficitare. Ndonëse fitoret janë gjithmonë të bukura, pozicioni në tabelën e renditjes e zbehte atë.

Ndoshta e shumëpritur, e munguar nga 18 dhjetori i fundit dhe një “shiringë” shprese në garën për mbijetesë, por e bukur jo. Edhe për faj të vetë Skënderbeut, që në historinë e tij ka vendosur ca kulme, të cilat do të mbeten të pashlyeshme për memorien e opinionit tonë sportiv për vitet dhe dekadat pasardhese.

Dhe ato fitore, do të duhet të mbeten në çdo rast frymezuese për ta rithemeluar Skënderbeun, për të qenë sërish i fortë, i bukur dhe dominues në futbollin tonë.

Por suksesi ndaj krutanëve, kishte një element historie, pasi është rregjistruar si fitorja e 600 e Skënderbeut në të gjitha pjesëmarrjet në elitën e futbollit tonë. Edhe kjo simbolikë mjafton për të na sjellë në vëmendje rolin dhe madhështinë e këtij klubi, si një nga bashkëthemeluesit e kampionatit tonë dhe me statusin e 8 titujve kampion.

Për statistikë, Skënderbeu është duke luajtur sezonin e 68 në Kategorinë Superiore të futbollit tonë, duke qenë klubi i gjashtë me më shumë pjesmarrje në elitë, e renditur pas Tiranës, Vllaznisë, Teutës, Flamurtarit dhe Partizanit.

Numri i ndeshjeve të luajtura deri më tani është 1677, nga të cilat 600 janë fitore, 433 barazime dhe 644 humbje.

Me 10 pikë diferencë nga Egnatia e vendit të tetë, në kampin korçar janë të qartë se për të siguruar mbijetesën do të duhet të ndodhë një mrekulli, por edhe historia e Skënderbeut në futbollin tonë është gjithashtu një shembull se rënia nga kategoria, ashtu siç ka ndodhur me 15 sezonet e munguara në elitë, nuk mund të jetë kurrsesi fundi i këtij klubi.

Siç historia në shumë raste ka deshmuar, edhe me Skënderbeun, 8 herë kampion i Shqipërisë, ka gjithmonë vend për të rinisur gjithçka dhe për t’u rikthyer sërish të fortë, por edhe fitues.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency