Skënderbeu fiton Radas, Jashanica e Dita nuk janë ende gati
Radas do të jetë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja për sfidën e fundjavës që Skënderbeu do të luajë në Korçë kundër Luftëtarit. Mbrojtësi kroat është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që nuk e lejoi të luante në transfertën durrsake. 34-vjeçari është bashkuar në stërvitje me ekipin duke hedhur pas krahëve problemet dhe ky është një lajm i mirë për skuadrën juglindore që javët e fundit ka vuajtur mungesat e shumta që në të tilla raste janë normale për shkak të kalendarit të ngjeshur. Ndërkohë, drejt rikuperimit por ende jo të gatshëm për të zbritur në fushë janë edhe mesfushori Bruno Dita si dhe mbrojtësi Bajram Jashanica. Të shtunën në orën 17:00 ata nuk do të zbresin në fushë ndaj gjirokastritëve por me shumë mundësi do të jenë gati për ndeshjet e radhës edhe pse Skënderbeu nuk jep një afat për rikuperimin e plotë të tyre, duke theksuar vetëm se ata aktualisht po punojnë në palestër të diferencuar.



