Skënderbeu, i hapur ndaj ofertave për Dejvi Bregun
8 gola në kampionat, 2 në Kupën e Shqipërisë dhe një nga “gurët e çmuar” me më shumë vlerë te Skënderbeu. Dejvi Bregu ishte “diamanti” i skuadrës 8 herë kampione sezonin e shkuar, si për nga talenti gjithashtu edhe për performancat e ofruara, madje shkëlqimin e tij nuk e zbehu as ajo frakturë në krah që e la jashtë për më shumë se dy muaj.
Presidenti Takaj vendosi të vijonte me klubin bardhekuq edhe pas konfirmimit të dënimit 10-vjeçar nga kompeticionet europiane, por e ndryshme është situata për anësorin vlonjat. 23-vjeçari tashmë është gati të testojë veten në një aventurë jashtë Shqipërisë, mundësisht në një kampionat i cili do t’i shërbente si trampolinë, siç është ai kroat.
Drejtuesit e klubit korçar kanë meritën që ia kanë dalë të mbrojnë disa nga lojtarët e sezonit të shkuar, si Muzaka, Dita, Gripshi, Krasniqi, por duket se në rastin e Dejvi Bregut situata është tjetër. Klubi është i hapur për oferta dhe nuk kërkon të bëhet pengesë në karrierën e futbollistit, kushti është që ofertat të vijnë nga jashtë kampionatit shqiptar.
Nëse parashtrohet një shifër e pëlqyeshme të ardhurash për kartonin e vlonjatit, atëherë edhe Skënderbeu do të përfitonte dhe vetë futbollisti do të kishte mundësinë të realizonte objektivin e tij aktual në karrierën sportive: aktivizimin në një kampionat të huaj. Kujtojmë që Bregu ka kontratë me klubin bardhekuq deri në verën e vitit 2020.



