Skënderbeu, ndaj Kukësit për të vendosur autoritetin e kampionit
1 pikë në dy ndeshjet e fundit kanë bërë që Skënderbeu të rrëshkasë nga vendi i parë në të 3-in, duke lënë Kukësin dhe Partizanin të udhëheqin Superioren. Pikërisht nënkampionët janë kundërshtarër e radhës, në një sfidë me aromë titulli. Dy skuadrat janë mësuar në edicionet e fundit që gara ndërmjet tyre të jetë për objektivin madhor dhe diçka e tillë do të ndodhë edhe këtë të enjten.
Pas barazimit me Tiranën dhe humbjes në Durrës me Teutën, Skënderbeu kërkon të rikthejë në vend autoritetin e kampiones. Për ta bërë këtë nuk ka më mirë sesa një duel direkt me rivalët, një ndeshje që ka detyruar drejtuesit më të lartë të paguajnë gjobën për të rihapur stadiumin pas penalizimit të marrë nga komisioni i disiplinës në përfundim të sfidë me Partizanin në javën e parë.
Trajneri Orges Shehi nuk do të ketë të gatshëm Kaba Sambou, i cili u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e fundit, mungesë e rëndësishme duke patur parasysh faktin që futbollisti kishte pësuar rritje të madhe në lojë. Pas transfertës në “Niko Dovana”, ekipi ka qenë i grumbulluar në Korçë, ku i është ofruar qetësia për të përgatitur këtë duel të rëndësishëm. Skuadra duhet të përmirësojë aspektin mbrojtës, pasi reparti i avancuar po bën detyrën, duke rezultuar deri më tani sulmi më i mirë i kampionatit me 8 gola të shënuar, ndërkohë që janë 4 gola të pësuar. Në Korçë luhet një sfidë për titull, por edhe një duel prestigji, pasi autoriteti i një skuadre vendoset pikërisht në përballjet e mëdha.



