Skënderbeu, rendimenti në rritje
Migen Memelli do të provojë edhe këtë edicion që të marrë më të mirën nga Skënderbeu i tij, teksa sërish ndodhet në gjysmën e poshtme të tabelës, duke luftuar për qëndrimin mes më të mirave të futbollit shqiptar.
Skuadra korçare e nisi jo mirë sezonin, megjithatë javë pas jave, ekipi i cili pësoi jo pak ndryshime në verë tregoi një paraqitje në rritje teksa që pas atij suksesi me Kukësin në stadiumin e Korçës Skënderbeu bëri kthesën, pasi 12 nga 15 pikë i kanë grumbulluar që nga java e tetë.
Trajneri Memelli nuk nguron që në çdo dalje për mediet të shprehë besimin që ka tek lojtarët e tij, duke theksuar se ekipi ka potencialin për të marrë maksimumin ndaj çdo kundërshtari, diçka që e ka përligjur dhe në fushën e lojës.
Skënderbeu mund të konsiderohet dhe si një skuadër fushe, me stadiumin “Skënderbeu” që e kanë kthyer në një kështjellë, teksa në katër ndeshjet e fundit kanë marrë 3 fitore dhe një barazim si pritës.
Në fund të 15 javëve, Skënderbeu ia ka dalë që të mos jetë në zonën e rënies dhe me ndërhyrjet e duhura në merkaton dimërore, bardhekuqtë mund të ia dalin që të qëndrojnë së paku edhe një edicion tjetër në elitën e futbollit shqiptar.



