Kategoria Superiore

Skënderbeu u kërkon tifozëve mbështetje, por ka edhe një paralajmërim

Skënderbeu do të ketë mbështetjen e tifozëve për supersfidën e shtëpisë me Kukësin, pasi klubi korçar e ka konvertuar me gjobë pjesën e mbetur të pezullimit të fushës për ngjarjet e javës së parë me Partizanin. Skuadra korçare, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, fton të mbështetësit e Skënderbeut të jenë në masë të pranishëm në stadium, por njëkohësisht i njofton se ka instaluar sistemin e kamerave, për t’u krijuar infrastrukturën e nevojshme autoriteteve për evidentimin e personave që shkaktojnë trazira.

“Të dashur tifozë,

Pas më shumë se një muaji të dënuar për të luajtur pa praninë e tifozëve, klubi ka paguar pjesën e mbetur të dënimit dhe sot do të kemi mundësinë dhe kënaqësinë të luajmë me praninë tuaj në stadium.

Dëshirojmë t’ju njoftojmë dhe të sqarojmë opinionin publik, në veçanti tifozët tanë, se klubi ka implementuar disa masa shtesë në bazë të Ligjit të Ri për Sportin.

Për t’iu përshtatur ligjit dhe për t’u krijuar lehtësirat e nevojshme Forcave të Policisë, klubi ka instaluar në stadium kamera sigurie.

Synimi ynë nuk është dëmtimi i tifozëve, por krijimi i kushteve maksimale dhe brenda ligjit për mbarëvajtjen e çdo takimi që do të luhet në vijim të sezonit në stadiumin “Skënderbeu”, për të mos përsëritur situatat e krijuara gjatë takimit të parë sezonal.

KF Skënderbeu, u bën thirrje të gjithë tifozëve për bashkëpunim, qetësi dhe kulturë. Jemi të sigurt dhe shprehim besimin tonë se të gjithë së bashku do të krijojmë në vazhdim ambientin e duhur për të zhvilluar një takim futbolli në kushte normale dhe brenda regullave.”

Faleminderit për mirëkuptimin,

KF Skënderbeu”

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency