Skriniar: Humbja në derbi na bëri më të fortë, Messi…
Disfatat me Barcelonën dhe Juventusin nuk kanë ridimensionuar ambiciet e Interit dhe të një prej lojtarëve më të rëndësishëm, Milan Skriniar, që në një intervistë të fundit deklaroi:
“Ne, nga dita e parë e grumbullimit, punojmë për të fituar. Duam të fitojmë. Duhet të vazhdojmë kështu. Conte na ka ndryshuar mentalitetin, pasi vetë e ka një mentalitet fituesi. Nuk duhet të dorëzohemi kurrë, do ta provojmë deri në fund”.
“Knock-out”-i i “San Siros” kundër Juventusit, sipas mbrojtësit që spikati që në vitin e tij të parë me Interin, si një ndër më të mirët e kampionatit mund, të jetë një stimul për të bërë akoma më mirë.
“Kemi pësuar humbjen e parë të këtij kampionati, por nuk luajtëm keq. Ata shënuan, ne jo. Duhet të punojmë më shumë.”
Skriniar më pas harton një klasifikim mes Bale, Messit dhe Ronaldos, lojtarë me të cilët është përballur së fundmi.
“Më ka impresionuar më shumë Messi. Pata fatin të përballem me të tre dhe është e bukur, pasi për këtë luhet futbolli. Me Messin e kupton menjëherë që ai shikon gjithë lojën dhe hapësirat. Pastaj, edhe dy të tjerët janë lojtarë shumë të mëdhenj”.
Në fund, një pyetje edhe në aspektin personal.
“Unë, kapiten që ngre trofe? Do të më pëlqente, por tani punoj për të bërë mirë për skuadrën time. Të bëhem mbrojtësi më i fortë në botë? Nuk është në mendjen time. Duhet të rritem, jam i lumtur nëse të tjerët mendojnë se kjo është e mundur, por unë mendoj për të mirën e skuadrës.”



