Skuadrat angleze, pazar te Juventusi
Krahas merkatos në hyrje, Juventusi do ketë shumë punë edhe me atë në dalje, pasi disa futbollistë kanë përfunduar jashtë planeve të Allegrit dhe disa të tjerë kanë kërkesa nga klube të tjera.
Kështu, shumë klube angleze kanë nën vëzhgim futbollistë të Juventusit, ku spikat Alex Sandro që kërkohet nga Chelsea dhe 2 skuadra e Manchesterit. Në orët e fundit, ka qenë edhe Arsenali që ka ofruar plot 40 milionë euro, për të marrë shërbimet e mbrojtësit Daniele Rugani.
23-vjeçari luan sezonin e 3-të me bardhezinjtë, por hapësirat në dispozicion të tij nuk kanë qenë aspak të mjaftueshme dhe ai po kërkon një tjetër strehim. Edhe mesfushori Stefano Sturaro nuk duket i kënaqur me minutat që Allegri i vë në dispozicion dhe ka kërkuar largimin.
Për mesfushorin polivalent, është pikërisht Newcastle i Benitezit, që ka gati një ofertë prej 22 milionë eurosh. Nëse këto transferime do të kryheshin, atëherë bardhezinjtë do të arkëtonin më tepër se 100 milionë euro, të mjaftueshme për të afruar disa prej objektivave të Allegrit.



