Skuadrat e bashkive, të vonuara në përgatitje
Duhet të ketë një arsye nëse dy ekipet që mbyllin tabelën e klasifikimit varen krejtësisht nga Bashkitë. Nëse te Vllaznia prova e fundit vjen me shtyrjen e detyruar të nisjes së minifazës përgatitore për në Malin e Zi, te Lushnja situata është akoma më gri.
Sinjalet e vullnetit për të mos u dorëzuar nuk është se kanë munguar munguan, me barazimin ndaj Partizanit e aq më tepër fitoren në Zeqir Ymeri ndaj Kukësit, me Lushnjën, që ka zhvilluar edhe të tjera paraqitje të mira edhe kur ka humbur por kaq nuk mjafton për të vijuar një luftë që në pjesën e dytë të kampionatit parashikohet edhe më e ashpër.
E shkëputur ndjeshëm nga rivalët e mbijetesës në fundin e klasifikimit skuadra myzeqare i ka qartazi të domosdoshme përforcimet për të vijuar deri në fund luftën për qëndrimin në Superiore, por për momentin afrimet zyrtare mungojnë.
Në një merkato të vështirë ato që vendosin janë financat, dhe te Lushnja mungojnë sinjalet e një frymëmarrjeje financiare të nevojshme për të garantuar përforcime cilësore që do të mundësonin një 2018 me një tjetër fytyrë.
Nëse mbështetja nga ana e Bashkisë do të mungojë deri në fund të merkatos, atëherë pjesa e dytë e sezonit rrezikon të shndërrohet në kronikën e një dështimi të paralajmëruar.



