Skuadra rumune jep shembullin fisnik, nisma që ka ndërmarrë në ndihmë të Ukrainës
Nuk ndalen nismat në botën e futbollit në mbështetje të popullit ukrainas. Më e fundit është ajo e Petrolulit, një skuadër nga divizioni i dytë rumun, e cila i dërgoi një letër zyrtare Dinamos së Kievit, ku i propozonte ndihmë të menjëhershme ekipeve të të rinjve të klubit.
Petrolul në fakt ka propozuar të strehojë dy ekipe moshash në Ploiesti, në rajonin Muntenia, në veri të Bukureshtit. Ky klub ka ofruar të mbulojë të gjitha shpenzimet në mënyrë që lojtarët dhe familjet e tyre të mund të jetojnë në Rumani pa asnjë kufizim kohor.
Skuadra rumune e ka publikuar letrën në faqen e saj zyrtare, drejtuar presidentit të Dinamos së Kievit, Ihor Surkis:
“Të dashur miq, në këtë kohë të vështirë për popullin e guximshëm ukrainas, sportistët dhe fëmijët nuk duhet të bëhen “viktima kolaterale” të një lufte të pakuptimtë. Nisur nga momentet e vështira që po kaloni, Fotolul Club Petrolul Ploiesti ju ofron shërbime transporti, akomodimi, ushqimi dhe mundësi trajnimi për dy grupe të rinjsh për një periudhë të pacaktuar. Çdo fëmijë mund të shoqërohet nga familjarët.
Ju lutemi pranoni këtë propozim si një gjest solidariteti nga klubi ynë me ju, miqtë tanë në Kiev. Nëse e pranoni ftesën tonë, ju lutemi na kontaktoni. Sporti është dhe duhet të mbetet ambasador i paqes edhe në këto ditë lufte. Me vlerësim të thellë, presidenti Costel Lazar”.
Petrolul do të hapë gjithashtu një pikë grumbullimi ndihmash për Ukrainën në stadiumin “Ilie Oana” nga kjo e hënë. Produktet dhe materialet e mbledhura do të dërgohen më pas në Kiev dhe rrethinat e tij, por edhe në pikat e shpëtimit të ngritura në zonën doganore përmes Kryqit të Kuq Rumun.



