Solskjaer i jep leksion Sarrit, United eliminon Chelsean nga FA Cup!
Chelsea merr një tjetër goditje të rëndë që vë seriozisht në rrezik të ardhmen e trajnerit Maurizio Sarri. Blutë e Londrës u eliminuan në raundin e 1/8-ave të FA Cup, kompeticionit më të vjetër në botë pasi u mposhtën me rezultatin 0-2 brenda në Stamford Bridge nga Manchester United. Lojën e bëri Chelsea por golat i realizoi skuadra e Solskjaer që realizoi dy herë në 15 minutat e fundit të pjesës së parë me Ander Herrerën që shfrytëzoi krosimin perfekt të Pogba dhe vetë mesfushorin francez që në minutën e 45-të mposhti për herë të dytë sërish me kokë portierin spanjoll të Chelsea-it, Kepa Arrizabalaga. Në të dy golat mbrojtja e Bluve të Londrës ishte në gjumë si për të konfirmuar problemet e mëdha që ka në prapavijë skuadra e Sarrit. Me këtë sukses Manchester United u kualifikua në çerekfinale dhe FA Cup është kompeticioni ideal për të mos e mbyllur sezonin pa asnjë trofe.Kjo ishte edhe një hakmarrje e United ndaj Chelseat pasi Djajtë e Kuq eliminuan nga Kupa e Federatës, kampionët në fuqi të kompeticionit ndaj të cilëve u mposhtën sezonin e kaluar në finale.



