Solskjaer mbetet i përkëdheluri i Ferguson, ja sa përfiton nëse shkarkohet nga Man.United!
Situata te United është përkeqësuar vërtet shumë këto kohët e fundit dhe rezultatet negative në kampionat kanë lëkundur ndjeshëm pozitat e trajnerit aktual të ekipit Ole Gunnar Solskjaer. Ndërhyrja e ish-trajnerit legjendar Alex Ferguson, që bën pjesë në bordin drejtues të Manchester United shtyu edhe për pak kohë karrierën e teknikut norvegjez te “djajtë e kuq”. Tabloidë të ndryshëm shkruan gjerë e gjatë për vizitën e Fergie-t në Qendrën Stërvitore të Klubit në Carrington, si dhe fjalimin e mbajtur nga 79-vjecari nga Glasgow përpara grupit të futbollistëve. Influenca e veteranit skocez te “red devils” vazhdon të jetë vërtet shumë e madhe dhe me sa kuptohet Sir Alex Ferguson vazhdon të ketë një besim të jashtëzakonshëm te “nxënësi i tij i përkëdhelur”.
The Sun ka bërë të ditur ndërkohë edhe shumën e majme që do të përfitojë 48-vjecari nga Kristiansundi, në rast të një shkarkimi të mundshëm. Bëhet fjalë për plot 8,9 milionë euro, një shifër goxha e lartë, duke pasur parasysh karrierën e deritanishme të ish-trajnerit të Molde-s dhe Cardiff City-t. Ndonëse e mbyllën edhe edicionin e kaluar pa asnjë trofe drejtuesit e “red devils” rendën me shpejtësi për t’i rinovuar kontratën trajnerit nordik, pavarësisht faktit që Solskjaer nuk u kërkua nga asnjë klub tjetër verën e kaluar.
“Baby–Faced Assassin” është trajneri i pestë më i paguar në Premiershipin Anglez, pas emrave si Pep Guardiola, Jurgen Klopp, Brendan Rodgers dhe Marcelo Bielsa megjithatë e ardhmja e tij mbetet në dyshim. Oratoria e tij, fjalët e bukura dhe marrja me të mira e futbollistëve në dispozicion tani shërbejnë fare pak dhe është e qartë që në momente të tilla të vështira bëhet e pamundur për ta mbrojtur edhe për miqtë e tij të vjetër, Gary e Phil Neville, Rio Ferdinand e David Beckham, apo qoftë edhe për gjithë “gardën e vjetër” të “djajve të kuq” që ka punuar me skocezin Alex Ferguson. Tani teknikun nordik kanë filluar ta lëshojnë edhe emra si Roy Keane apo Paul Scholes, por gjithsesi kjo është shndërruar në një histori të zakonshme, që po përsëritet kohë pas kohe.
Fundjavën e kaluar United u cmontua në shtëpi nga rivalët e përbetuar të Liverpulit, me rezultatin 5-0. Për të gjetur një disfatë që I kalon këto përmasa duhet kthyer plot 126 vjet më pas, në vitin e largët 1895, kur ky klub nën emrin e dikurshëm Neëton Heath u asfaltua në Anfield në një ndeshje të vlefshme për Divizionin e Dytë me shifrat 7-1. Tani ashtu si edhe në shumë raste të tjera të ngjashme pritet një kthesë e fortë përsa I përket rezultateve, me një ecuri të mjaftueshme sa për të shpëtuar karrierën e trajnerit Solskjaer në timonin e Red Devils. Një histori e përsëritur dhe e stërpërsëritur në këto 34 muajt e fundit, të epokës Solskjaer. Tre vjet më parë në listën e favoritëve për të marrë drejtimin e Manchester United ishin emra si Thomas Tuchel, Maurizio Pochettino dhe Julian Nagelsmann, por tani këta trajnerë janë emëruar respektivisht te klube si Chelsea, Paris SG dhe Bayern-i i Mynihut.
Për një pjesë të tabloidëve tekniku nordik ka kohë për të reaguar vetëm në sfidën e ardhshme, të shtunën në mbrëmje me Tottenham-in në Londër, ndërkohë një pjesë e mirë e gazetave të tjera në ishull ka shtuar te ky afat gjithashtu edhe dy takimet me kundërshtarë si Atalanta dhe Manchester City, që përkojnë me periudhën e shkëputjes për shkak të impenjimit që do të kenë futbollistët e skuadrës me përfaqësueset e tyre respektive. United krenohet me thjeshtë një pikë të vetme në katër sfidat e fundit në kampionat me ekipe si Aston Villa, Everton, Leicester City dhe Liverpool. Nga sa mësohet bordi drejtues vazhdon të jetë i ndarë në lidhje me besimin që i është dhënë 48-vjeçarit nga Kristiansundi.
Në rast shkarkimi pra Solskajer do të përfitojë plot 7,5 milionë stërlina dhe në media Antonio Conte mbetet trajneri favorit për të pasuar në këtë detyrë teknikun norvegjez, ndërkaq emri I tij shoqërohet gjithashtu edhe nga alternativa të tilla si Brendan Rodgers, Erik ten Hag apo dhe Zinedine Zidane që pëlqehen nga tifozët. Deri në fundin e muajit nëntor United do të ketë gjithashtu edhe një kalendar të tmerrshëm, teksa do të përballet me radhë me ekipe si Tottenham, Atalanta, Manchester City, Watford, Villarreal dhe Chelsea, për më tepër gjatë gjithë kësaj periudhe impenjative sikur të mos mjaftonin problemet e shumta ndeshja derbi me City-n përfaqëson edhe sfidën e vetme që red devils do të kenë brenda në Old Trafford.



