Solskjaer në telashe, sa shumë mungesa për sfidën ndaj Liverpoolit
Paul Pogba nuk do të jetë në derbin e Anglisë Manchester United-Liverpool. Mesfushori francez bëri përpjekjet maksimale për t’u riaftësuar në kohë për ndeshjen më të rëndësishme të futbollit anglez, megjithatë buletini më i fundit mjekësor i klubit qartësoi se 26-vjeçari parizien do të mungojë në sfidën e ditës së diel.
Kampioni i botës ka patur probleme në shputën e këmbës që në muajin gusht, sidoqoftë futbollisti me origjinë nga Guinea ka luajtur në 5 nga 8 ndeshjet e këtij edicioni në Premiership. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e konsideron të pazëvendësueshëm mesfushorin francez dhe liderin e skuadrës, gjithsesi ishte po vetë trajneri norvegjez ai që konfirmoi edhe mungesën e tij, në takimin e shumëpritur dhe natyrisht më të fortë të javës së nëntë të kampionatit anglez.
Padyshim një goditje tepër e rëndë për “red devils” dhe për shpresat e tyre për të kthyer fatin e këtij sezoni, sidomos pas edhe dëmtimit të portierit spanjoll David de Gea. 46-vjeçari nordik nuk do të ketë në dispozicion gjithashtu edhe emra të tillë si Eric Bailly, Phil Jones, Timothy Fosu-Mensah dhe Diogo Dalot, ndërkaq në dyshim mbeten edhe lojtarët e tjerë Anthony Martial, Daniel James, Jesse Lingard, Aaron Wan-Bissaka, Luke Shaw, madje për disa prej tyre mund të vendoset vetëm pak çaste përpara fillimit të takimit.
United për momentin pozicionohet në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes, me vetëm dy pikë më shumë se sa zona e ftohtë e klasifikimit. Nëse De Gea nuk ia del për të rikuperuar në kohë atëherë në mënyrë të kuptueshme vendin e tij mes shtyllave do ta zërë portieri argjentinas Sergio Romero, sidoqoftë për pjesën tjetër trajneri Solskjaer ka shumë dilema dhe gjërat mbeten tepër të paqarta.
Pasi siguroi 6 fitore radhazi në debutimin e tij me “djajtë e kuq”, duke thyer rekordin 73-vjeçar të ish-trajnerit legjendar Matt Busby Ole e vazhdoi ecurinë e shkëlqyer deri në mesin e muajit shkurt, për të regjistruar në këtë mënyrë plot 10 fitore në 11 ndeshjet e tij të para në të gjithë kompeticionet në timonin e “red devils”, megjithatë pas kësaj periudhe të artë gjërat shkuan pak a shumë edhe aty ku priteshin, sepse sapo Solskjaer firmosi kontratën 3-vjeçare gjithçka ndryshoi dhe u ndërlikua ndjeshëm për 46-vjeçarin nga Kristiansundi.
Që nga humbja në “Old Trafford” në takimin e vajtjes me Paris SG e deri më sot me trajnerin Solskjaer në drejtim “red devils” kanë fituar vetëm 9 nga 29 ndeshjet e zhvilluara në të gjithë kompeticionet, 12 prej të cilave janë humbje, ndërsa duke llogaritur vetëm 10 sfidat e fundit United në të gjithë aktivitetet ka shënuar vetëm 8 gola gjithsej. Një krizë vërtet e thellë për klubin më të suksesshëm në historinë e futbollit anglez, pasi siç dihet United kryeson 20-18 me kampionate kundrejt klubit nga Merseyside.
Administratori Ed Woodward për momentin i ka dhënë garanci për të vijuar projektin e tij legjendës së klubit, që dikur mbante me krenari nofkën “baby-faced assassin”, sidoqoftë hija e Massimilliano Allegri-t po shtrihet gjithmonë e më shumë mbi rekordmenët e Anglisë. Në kalendar pas derbit Manchester United – Liverpool “red devils” do të kenë plot katër ndeshje radhazi jashtë fushe, me Partizanin e Beogradit në Europa League, Norwich City-n në kampionat, Chelsea-n në Kupën e Ligës si dhe Bournemouth-in në Premiership, të gjitha këto në një kohë kur “djajtë e kuq” numërojnë jo pak, por shtatë muaj e gjysmë pa fitore larg “Teatrit të Ëndrrave”.
E sikur të mos mjaftonin disfatat në fushë pavarësisht shifrave dhe arritjeve që deklaron plot krenari Ed Woodward klubi ka rrëshqitur nga vendi i parë në të tretin, për t’u kaluar nga Reali dhe Barcelona në klasifikimin e klubeve më të pasur në glob, natyrisht të dhëna që i referohen revistës së specializuar “Forbes”, për më tepër edhe Chevrolet gjiganti i prodhimit të makinave të Grupit General Motors vendosi të mos rinovojë më kontratën 7-vjeçare, që përfundon në vitin 2021, kontratë prej së cilës klubi i “djajve të kuq” përfitoi plot 410 milionë paund.



