Solskjaer rilind edhe Pogbanë: Mesfushori mbetet në Manchester
Ndërrimi i stolit tek “djajtë e kuq” duket se shoqërohet me stimuj të rinj për shumë të përfolurin Paul Pogba. Me emërimin e Solskjaer në vend të Mourinhos, hapi i radhës që tregon një frymë pozitive në drejtim të francezit, është komunikimi i teknikut të ri të United, që shuan çdo spekulim merkatoje në drejtim të tij, sikundër qarkullonin së fundmi zëra që e lidhnin të ardhmen e tij me një rikthim në Torino tek bardhezinjtë e Juventusit.
“Pogba është një lojtar themelor për ne. Kam gjetur në këtë organikë një futbollist me pasion të madh, që di të sulmojë me inteligjencë dhe të bëjë një punë fantastike në rikuperimin e topit. Gjithçka ka të bëjë më dëshirën dhe vullnetin e vet lojtarëve dhe sigurisht me sjelljen e tyre”, deklaroi Solskjaer.
Në këtë mënyrë tekniku norvegjez i United flet mbi situatën aktuale të Pogbasë, duke lënë të kuptohet se mes tij dhe futbollisit ka një kimi më të madhe se sa ndodhte në të shkuarën mes tij dhe portugezit Mourinho.
Prej disa muajsh e ardhmja e Pogbasë lidhej me Juventusin, më shumë për shkak të marrëdhënies së komplikuar me ish teknikun, se sa me drejtuesit e klubit apo pjesën tjetër të skuadrës. Në këtë mënyrë rotacioni që ndodhi në stol mund të ketë hapur letra të reja në tavolinë, për të ardhmen e mesfushorit 25-vjeçar, për të cilin tashmë mendohet se do ta mbyllë sezonin në Premier League, duke kërkuar të rigjejë entuziazmin dhe performancën. E ardhmja për Pogba duket gjithnjë e më largët nga Torino, por sërish Juve mbetet vigjilente ndaj çdo zhvillimi që lidhet me lojtarin në Manchester.



