Kategoria Superiore

Barazim “i ftohtë” në “Selman Stërmasi”, Trashi-Sukaj “falin” Skënderbeun

Mbyllet në barazim pa gola supersfida e javës së 12-të të Superirores mes Partizanit dhe Skënderbeun, me të kuqtë që humbin një mundësi të mirë për të ngushtuar diferencën me kreun. Edhe pse loja ishte përgjithësisht e ekuilibruar, Partizani ishte më pranë fitores, pasi në dy mundësi, Trashi e më pas Sukaj, përballë Shehit patën rastin për t’u dhënë fitoren të kuqve.

Në minutat e para iniciativa ishte e Partizanit, që arriti madje të shënojë me Prognin, por më parë anësori kishte ngritur flamurin për pozicion jashtë loje. Skënderbeu doli rrezikshëm në sulm vetëm në minutën e 20-të, me Sowe dhe James që shkaktuan panik në zonën e të kuqve, por pa mundur të dërgojnë topin në rrjetë. Batha shkarkoi të djathtën në minutën e 39-të, por reagoi në pozicion Shehi. Më i qartë në lojën e tij, Skënderbeu, në minutat e fundit të pjesës së parë, por munguan rastet e pastra.

Pjesa e dytë nisi pa asnjë ndryshim në formacionet respektive, ndërsa sinjalin e parë e dha Skënderbeu, me dyshen James-Sowe, por me nigerianin që gaboi në marrjen e topit. Mundësinë më të mirë për ‘të kuqtë’ e pati Lorenc Trashi, që në mënyrë të pabesueshme goditi jashtë, duke ‘falur’ korçarët. Në minutën e 74-t, pati edhe një pretendim për 11-metërsh nga kryeqytetasit, me anë të sulmuesit Asani, por për gjyqtarin ishte çdo gjë e rregullt.

Partizani pati një tjetër mundësi të shkëlqyer në minutat e fundit të takimit, me sulmuesin Sukaj, por goditja e tij përfundoi në duart e portierit bardhekuq, Orges Shehi. Vërshëllima e trefishtë e arbitrit kryesor të takimit, vulosi barazimin 0-0 në kryeqytet, me Partizanin, që humbi një mundësi për t’iu afruar kreut, ndërsa përfitoi Kukësi, që reduktoi me 2 pikë distancën nga Skënderbeu, 1 javë para përballjes me korçarët.

Formacionet:
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Malota, Kalari, Batha, Vila, Asani, Trashi, Progni, Bardhi (Sukaj 82′). Trajner: Klevis Dalipi (Starova i pezulluar).

Skënderbeu: Shehi, Taku, Radas, Aliti, Mici (Jashanica 70′), Muzaka, Osmani (Nimaga 61′), Lilaj, Gavazaj, James, Sowe. Trajner: Ilir Daja. Gjyqtar: Eldorian Hamiti

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency