Southampton pret Brentfordin, trajneri me sytë nga Armando Broja
Pasi siguroi kalimin mes 32 më të mirave të FA Cup, në një ndeshje 120-minutëshe ndaj Swansea-s, Southampton do të rikthehet në fushë nesër në mbrëmje, për të zhvilluar ndeshjen e prapambetur ndaj Brentfordit në “St. Mar’s Stadium”.
Trajneri Ralph Hasenhuttl doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ndër të tjera nënvizoi se disa futbollistë janë lodhur jo pak duke luajtur me një lojtar më pak ndaj uellsianëve, teksa ka konfirmuar edhe rikthimin e një sulmuesi.
“Che Adams do të jetë i grumbulluar me skuadrën, por nuk e dimë ende sa minuta ka në këmbë, pasi vjen pas izolimit. Megjithatë edhe shumë futbollistë që luajtën ndaj Swansea-s, janë konsumuar jo pak, duke qenë se luajtën shumë minuta dhe për më tepër, me një lojtar më pak”, deklaroi trajneri.
Ndonëse austriaku nuk dha referenca sa i përket formacionit, mediat pranë klubit të Southampton janë të sigurta që Broja do ta nisë nga minuta e parë, pasi jo vetëm është golshënuesi më i mirë i ekipit, por gëzon edhe formën më të mirë fizike.
Che Adams ka qenë prej ditësh në izolim dhe nuk mund të përballojë një ndeshje nga minuta e parë, ndërsa edhe sulmuesi tjetër Adam Armstrong nuk është në formën e tij më të mirë, ndaj sytë mbeten nga futbollisti shqiptar, i cili rrallë ka zhgënjyer kur ka luajtur nga minuta e parë.



