Spalletti karikon Interin: Jemi më të fortë se sezonin e kaluar, do luftojmë për titull
Interi është gati për debutimin në kampionat. Të dielën në 20:30 zikaltrit e Spallettit do të sfidojnë në Reggio Emilia, Sassuolon që mund të konsiderohet pa frikë macja e zezë e Interit. Sezonin e kaluar Sassuolo e mposhti në 2 raste Interin por këtë sezon gjërat kanë ndryshuyar, është i bindur për këtë trajneri Luciano Spalletti i cili në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide theksoi se ka një skuadër më të fortë në dispozicion se ajo e një viti më parë dhe Interi i tij duhet të nisë menjëherë shumë fortë sezonin pasi do të ketë synim kryesor të përmirësojë në renditje vendin e 4-ët të vitit të kaluar. “ E dëshironim me çdo kusht këtë biçikletë dhe tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të pedalojmë, theksoi Spalletti. Trajneri i zikaltërve shtoi gjithashtu se Juvja vazhdon të mbetet skuadra më e fortë por Interi do të jetë një prej 5 skuadrave që do të përpiqen të ngacmojnë bardhezinjtë dhe t’i ndalin në rrugën drejt titullit. Ish trajneri i Romës nga futbollistët që ka në dispozicion veçoi kroatin Marcelo Brozovic, pasi pret shumë nga mesfushori dhe shpreson se Brozovic tashmë që ka gjetur pozicionin e tij ideal në fushë do të kthehet në liderin e ri të skuadrës.Edhe pse është jashtë listës së të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Sassuolos Spalletti bëri me dije se portugezi Joao Mario ka pësuar një dëmtim të vogël dhe nuk është jashtë skuadre siç është thënë në media. Në fund numri 1 i stolit të Interit bëri edhe një batutë në lidhje me Luka Modric e cila ishte ëndrra e madhe e zikaltërve në merkato por transferimi i tij në Milano nuk u bë realitet. “ Modric nuk është i grumbulluar”, deklaroi Spalletti duke qeshur.



