Spalletti lë jashtë Icardin: Nuk është gati; Unë do vijoj të jem te Interi
Mauro Icardi është rikthyer të stërvitet nën urdhrat e Spallettit prej 10 ditësh, por as kjo dhe as mungesa e Lautaro Martinezit, nuk kanë ndikuar që trajneri zikaltër ta grumbullojë për ndeshjen me Lazion.
Në konferencën për shtyp të dhënë para ndeshjes së nesërme, Spalletti ka konfirmuar lënien jashtë të Icardit, ndërsa është shprehur se do të vlerësojë situatën për ndeshjet në vijim.
“Për shumë arsye e kam parë si një lojtar të ri, pasi nuk stërvitet prej shumë javësh me ne. Pikërisht për këtë arsye, duhet ta përfshijmë gradualisht në skuadër dhe për shumë gjëra që kam parë, kam menduar se ai nuk është gati të ndihmojë skuadrën në fushë. Ndaj vendosa që të mos e grumbulloj për ndeshjen e nesërme, ndërsa për takimet e ardhshme, do të bëjmë vlerësimet”, tha Spalletti.
Më pas trajneri zikaltër komentoi edhe ecurinë e skuadrës, të cilën e drejton prej më tepër se një viti e gjysmë, ndërsa iu përgjigj edhe pyetjeve mbi të ardhmen e tij në stolin e Interit.
“Nga pikëpamja e mënyrës sesi kemi punuar, natyrisht që e shoh skuadrën aty ku e kisha imagjinuar. Më pas natyrisht që mund të kishim kaluar në fazën tjetër të Championsit dhe ndoshta të ishim kualifikuar edhe në Kupën e Italisë, por këto mbeten momente të caktuara. Sa i përket të ardhmes, do të shihemi edhe sezonin e ardhshëm bashkë”, tha trajneri i Interit.



