Spalletti mendon ‘turn over-in’, ndaj Sampdorias
Interi i Luciano Spallettit është ndoshta surpriza më e bukur e Serisë A, në këto 9 javë të para, sepse jo vetëm që ndodhet në vendin e dytë, por ende nuk njeh humbje, ndonëse është përballur me rivalë si Napoli, Roma, Milani dhe Fiorentina.
Nesër në mbrëmje, zikaltrit do të presin Sampdorian në ‘San Siro’, ku sërish janë shitur më tepër se 50 mijë bileta dhe një fitore e Interit, do t’i ngjiste ata përkohësisht në krye të renditjes, në pritje të ndeshjeve të tjera të mërkurën.
Gjithsesi, Interi vjen pas një jave shumë impenjative, ku fillimisht priti Milanin në derbi dhe 6 ditë më pas përballoi Napolin në “San Paolo’, ndaj Luciano Spalletti po mendon të lërë pushim disa prej titullarëve të tij, si Candreva dhe Borja Valero.
Gjithashtu, në fushë pritet të ketë vend edhe për futbollistë që janë aktivizuar më pak, si D’albert, Cancelo dhe Joao Mario. Gjithsesi, mediat pranë zikaltërve raportojnë se surpriza e vërtetë nesër mund të jetë Yann Karamoh, 19 vjeçari francez, i cili debutoi përballë Genoas dhe dhuroi një paraqitje për t’u duartrokitur.



