Spalletti shpjegon çështjen Icardi dhe paralajmëron ndëshkime të tjera ndaj sulmuesit
Drejtuesit e Interit vendosën sot t’i heqin shiritin e kapitenit sulmuesit Mauro Icardi, për t’ia besuar atë portierit slloven Samir Handanoviç, ndërsa përplasjet në distancë mes shoqërisë dhe bashkëshortes menaxhere të argjentinasit, në lidhje me rinovimin, duken se kanë sjellë këtë vendim.
Trajneri Luciano Spalletti doli pasditen e sotme në konferencë për shtyp, nga stadiumi “Allianz Stadion” i Vjenës, ku Interi do të përballet nesër në mbrëmje me Rapidin, ndërsa të pashmangshme ishin edhe pyetjet mbi arsyet e vendimit.
“Vendimi ishte shumë i vështirë dhe shumë i dhimbshëm, pasi të gjithë e dimë se cilat janë vlerat e tij sportive, por u mor bashkërisht dhe për të mirën e skuadrës. Disa gjëra duheshin sistemuar dhe e thashë këtë edhe pas ndeshjes me Parmën, por të gjithë i keqinterpretuan deklaratat e mia, duke kujtuar se unë po hyja në “territorin” e drejtuesve të skuadrës. Vendimi u mor në kohën e duhur dhe është i mirë-arsyetuar, ndonëse është edhe shumë i dhimbshëm. Çështje të caktuara rreth Mauros, po shqetësonin atë, por edhe skuadrën ku ai ishte kapiten, pasi po vinin në siklet të gjithë ambientin. Kush mendon për gjëra të tjera, veç ndeshjes së radhës, atëherë ka gjetur vendin e gabuar për ta bërë këtë”, deklaroi Spalletti.
Përveç shiritit të kapitenit Mauro Icardi nuk udhëtoi me skuadrën në Vjenë, ndërsa Spalletti zbuloi se kishte qenë vetë argjentinasi ai që kishte kërkuar të mos grumbullohej dhe se natyrisht që klubi do të shqyrtonte edhe këtë çështje me shumë vëmendje në ditët në vijim.
“Mauro ka qenë i grumbulluar, por pas drekës vendosi të mos udhëtonte me skuadrën. E kuptoj që u ndje keq për vendimin, por e sqarova edhe më lart, se duhej marrë patjetër. Megjithatë edhe për vendimin e tij, që të mos udhëtojë me skuadrën, do të merret shoqëria në ditët në vijim. Sa i përket sfidës së nesërme, për mua nuk ndryshon asgjë, pasi kemi Lautaron, i cili ka treguar se është i aftë të udhëheqë sulmin tonë dhe ka gjithë besimin e skuadrës”, deklaroi trajneri i Interit.



