Spektakël dhe gola në “Mapei”, Sassuolo dhe Fiore ndajnë nga një pikë
Spektakli dhe golat nuk kanë fund në këtë fundjavë të kampionatit italian, teksa mesditën e sotme vëmendja ishte përqendruar në Reggio Emilia, ku Sassuolo priste Fiorentinën.
Pas një pjese të parë me rrjeta të paprekura, 45-minutëshi i dytë dhuroi një tablo krejt tjetër, me plot 6 gola të shënuar, nga 3 për secilën skuadër, që sot ndanë nga një pikë bashkë.
Kështu Sassuolo shënoi dy herë radhazi, fillimisht me Duncan dhe më pas me Babacar në minutat 60’ dhe 67, por Giovani Simeone rihapi takimin, duke shënuar në të 70-ën për Fiorentinën.
Në minutën e 80’ ishte sërish Sassuolo që shënoi me anë të mesfushorit Sensi, duke dhënë idenë se sfida ishte mbyllur tashmë dhe se do të merrte 3 pikët e plota.
Por Fiore nuk dorëzohet dhe fillimisht ishte Benassi që rihapi takimin në minutën e 89’, ndërsa në minutën e 6 shtesë, mesfushori belg Kevin Mirallas riktheu baraspeshën dhe u dha një pikë “vjollcëve”.
Vlen të theksohet se të dy skuadrat e mbyllën sfidën me nga 10 futbollistë, pasi Djuriçiç u ndëshkua për Sassuolon në minutën e 87 dhe Milenkoviç për Fiorentinën në minutën e dytë shtesë.



