Europa League

Spikat Lazio-Marseille, Legia e shqiptarëve për mrekullinë ndaj Napolit

Rikthehen sfidat e Europa League-s dhe kompeticioni I dytë më i rëndësishëm i Kupave të Evropës luan aktin e tretë të fazës së grupeve. Gjithçka është e qartë dhe ndeshjet në të gjithë grupet do të vijojnë sipas formatit tashmë të konsoliduar me ekipet që do të takohen dy herë rresht ndërmjet tyre, me të vetmin ndryshim, që pas dy javëve skuadrat do të pozicionohen në invers, duke ndryshuar fushën.

Edicioni i 13-të Europa League-s dhe sezoni i 51-të i aktivitetit të dytë më të rëndësishëm kontinental në rang klubesh ka nisur plot surpriza, e një pjesë e mirë e skuadrave më të rëndësishme të këtij kompeticioni ka zhgënjyer dhe për rrjedhojë gjendet në vështirësi, duke u përballur shpejt me mundësinë e eliminimit.

Një ndër ndeshjet kryesore të ditës së enjte do të luhet në “Qytetin e Përjetshëm”, ku Lazio do të presë Olimpikun e Marsejës, me synimin për t’u shkëputur përfundimisht nga klubi i mirënjohur francez. Bardhekaltrit nuk kanë bërë startin më të mirë të mundshëm, gjithsesi me 3 fitore në 4 sfidat e fundit në të gjithë aktivitetet skuadra e Maurizio Sarrit po mundohet të ngrihet dalëngadalë. Këto tri fitore janë të vetmet për skuadrën laciale që nga fundi i muajit gusht, megjithatë duket se suksese të tilla kanë ardhur pikërisht në kohën e duhur.

Klubi nga Provansa udhëton drejt Italisë plot dilema, në lidhje me zgjedhjet që duhen bërë përpara takimit tepër të rëndësishëm që ekipi i Sampaolit do të ketë në Le Championnat me gjigantët e Paris SG. Derbi i famshëm francez është në program vetëm të dielën në mbrëmje, megjithatë dueli i Velodromit, Marseille – PSG, pritet që të kushtëzojë ndjeshëm formacionin që do të përzgjedhë në mesjavë 61-vjeçari argjentinas.

Trajnerët Maurizio Sarri dhe Jorge Sampaoli nuk kanë probleme me dëmtimet dhe dy ekipet bëjnë pjesë në Grupin E, ku luajnë gjithashtu edhe klubet e Galatasaray-t dhe Lokomotivës së Moskës. Për momentin kryeson grupin në kuotën e katër pikëve ekipi i drejtuar nga veterani Fatih Terim, ndërsa Lazio dhe Marseille ndjekin nga prapa respektivisht me nga tri dhe dy pikë.

Kjo do të jetë përballja e shtatë ndërmjet këtyre dy klubeve në Kupat e Evropës. Në katër sfidat e grupeve në Champions dhe Europa League bardhekaltrit krenohen me katër fitore, ndërkohë ekipi marsejez llogarit si rezultate pozitive barazimin 1-1 në Romë dhe triumfin 3-0 në Velodrome në verën e vitit 2005 në Kupën Intertoto.

Po në orën 18:45, në stadiumin “Benito Villamarin” do të mbahet takimi Real Betis – Bayer Leverkusen. Dy ekipet kryesojnë Grupin G me pikë të plota, grup ku bëjnë pjesë gjithashtu edhe Celtic bashkë me klubin e Ferencvarosit.

Në mbrëmje kuriozitet ngjall natyrshëm edhe takimi ndërmjet Napolit dhe Legias së Varshavës. Skuadra e Spaletit kryeson kampionatin italian me 100% të pikëve pas tetë javëe të para, ndërsa klubi i famshëm polak për momentin mban vetëm vendin e 15-të në Ekstraklasa, me vetëm 9 pikë në 9 javët e para.

Në mënyrë surprizë klubi nga Varshava kryeson Grupin C me pikë të plota, falë fitoreve minimale ndaj Spartakut brenda në Moskë dhe “Dhelprave” të Lesterit në kryeqytetin polak. Goli i fitores madje në sfidën e parë ndaj klubit të mirënjohur rus u shënua në kohën shtesë, falë bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Ernest Muçit dhe Lirim Kastratit, gjithsesi te Legia bën pjesë gjithashtu edhe mesfushori Jurgen Çelhaka.

Suksesi në Moskë i skuadrës së Brendan Rodgers falë katër golave të realizuar pasditen e së mërkurës nga sulmuesi nga Zambia Patson Daka i ngjiti “Dhelprat” drejt e në pozicionin e dytë, në kuotën e katër pikëve. Ekipi moskovit kuptohet mbetet me tri pikë pas tri sfidave të para, ndërsa Napoli, për çudi, mbyll tabelën e renditjes me vetëm një pikë. Dy klubet janë përballur vetëm dy herë dhe “të kaltrit” i kanë fituar që të dy takimet e fazës së grupeve në vitin 2015 në Europa League, 5-2 në shtëpi dhe 2-0 në Varshavë.

Po në orën 21:00, në “Philips Stadion” të Eindhovenit, PSV do të masë forcat me skuadrën e Monakosë. Dy klubet takohen për herë të parë që nga viti i largët 2005, vit kur klubi i mirënjohur holandez e eliminoi ekipin nga Principata me rezultatin e përgjithshëm 3-0 që në fazën e 1/8, ndërsa në vitin 2003 në fazën e grupeve klubi nga Montecarlo barazoi 1-1 në shtëpi dhe shkoi e fitoi me shifrat 2-1 brenda në Eindhoven.

Në Grupin B bën pjesë gjithashtu edhe Reali i Sociedadit, që ka barazuar me të dy këto ekipe dhe ekipi bask pritet që të përfitojë në maksimum nga kalendari, duke pasur parasysh që klubi austriak  Sturmit të Grazit duket se është në këtë grup thjeshtë në rolin e “sparring partner”-it.                                   

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency