Stadiumi i ri i Milanos, zbulohet projekti i “Populous” (Foto)
Dy klubet e Milanos janë të vendosura për të ndërtuar një stadium të ri, pranë “San Siro”-s dhe kanë vijuar me selektimin e projekteve të studiove arkitekturore, ndërsa në garë kanë mbetur vetëm dy të tilla.
Bëhet fjalë për studion Populous dhe Manica+Sportium, projektet e të cilave pritet të prezantohen zyrtarisht të enjten e 26 shtatorit në Politeknikun e Milano-Bovisa.
Megjithatë mediat në Itali kanë arritur të zbulojnë projektin e studios Populous, që ka konceptuar ndërtimin e stadiumit të ri mes një zone polifunksionale, që do të jetë e hapur për publikun në 365 ditë të vitit.
Bëhet fjalë për një stadium në formën e një paralelopipedi prej qelqi e harqesh, që falë edhe një loje dritash, kujton Katedralen e Milanos, duke lidhur kështu historinë e qytetit me stadiumin e ri.
Nga brenda prezantohen stola në stilin anglez të ndërtimit të stadiumeve dhe stenda vertikale pranë fushës, ndërsa koncepti thekson qëndrueshmërinë nga këndvështrimi mjedisor, me panele fotovoltaike dhe emetime zero.






















