Starova: Dominuam takimin, kjo është pjesa e hidhur e futbollit
Partizani zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë në Korçë, por sërish doli pa pikë dhe kjo e ka zhgënjyer pa masë trajnerin Starova, që u rikthye në pankinë sot.
“Bëmë një ndeshje mjaft të mirë dhe merituam shumë më tepër, por fatkeqësisht nuk arritëm të marrim rezultat në këtë transfertë, pavarësisht se luajtëm bukur. Na vjen keq që nuk po marrim pikët që meritojmë, me lojën që bëjmë. Sot ishim thuajse spektakolarë, duke dominuar, por në fund dolëm pa pikë dhe kjo është pjesa e hidhur e futbollit”, u shpreh trajneri Starova.
Të hënën të kuqtë u mposhtën nga Kukësi në shtëpi dhe sot nga Skënderbeu, por për Starovën, të dy ndeshjet bartin një histori krejt të ndryshme.
“Kjo ndeshje nuk ka të krahasuar me ndeshjen ndaj Kukësit, Atë sfidë e vendosën gjyqtarët, ndërsa sot, mendoj se ishte fati që e patëm kundër, pasi zhvilluam një lojë të shkëlqyer. U munduam të fitojmë mesin e fushës, duke i bërë presion Radasit dhe Osmanit, lojtarë që nisin aksionet e Skënderbeut”, tha Starova.
Partizani refuzoi të paguajë gjobën për pezullimin e Starovës javën e kaluar me Kukësin, por e bëri këtë gjë këtë javë, për ta pasur në pankinë në transfertën ndaj Skënderbeut. Vetë tekniku i të kuqve justifikon klubin dhe shprehet se e kërkoi ai vetë që të mos paguhej javën e kaluar.
Klubi është i lodhur nga pagesat dhe kjo është për fajin tonë, pasi ka ndodhur shpesh edhe me lojtarët. Sigurisht që është shumë më ndryshe, kur unë dhe Dalipi të jemi bashkë në pankinë, sesa vetëm njëri nga ne.



