Statistika interesante në “Analizë Superiore”, çfarë prodhoi java e 26-të
“Analizë Superiore” sjell gjithmonë statistika interesante për atë që ndodh javë pas jave në Abissnet Superiore. Java e 26-të prodhoi vetëm 8 gola, teksa Teuta, që triumfoi 0-1 në Kurbin, ishte ekipi i vetëm udhëtues që mori maksimumin.
Tirana-Dinamo ishte ndeshja më e rëndësishme e javës. Derbi i kryeqytetit u zhvillua në “Elbasan Arena” dhe përfundoi 1-0 për bardheblutë kryesues. “Blutë” luajtën ndeshjen e parë me italianin Vanoli në stol, por dolën pa pikë.
34 faulla u regjistruan në këtë përballje. Tirana u shfaq më mirë në goditje, në zotërimin e topit, gjuajtjet në kuadrat, numrin e pasimeve dhe pasimet e sakta. Djemtë e Shehit bënë më mirë në driblime, kjo edhe falë teknikës së mirë që zotërojnë sulmuesit.
Më mirë Dinamo u shfaq në duelet e fituara dhe numrin e gjuajtjeve, teksa skuadra e Vanolit humbi më pak topa dhe shkaktoi dy faulle më shumë se rivalët e qytetit.

Laçi dominoi, ushtroi më shumë presion dhe krijoi raste të rrezikshme, por Teuta shënoi golin dhe mori pikët në sfidën e luajtur në transfertë. Pesë janë ndeshjet pa fitore për bardhezinjtë e Josës, teksa kampionët në fuqi siguruan tre pikë të rëndësishme për mbijetesën.
Rubin Hebaj i dhuroi Teutës triumfin 0-1 në një takim ku Laçi tentoi dhe gjuajti më shumë portën kundërshtare, dominoi në mbajtjen e topit (61%), realizoi më shumë driblime dhe kreu më tepër pasime të sakta.
Përveç golit të shënuar dhe marrjes së tre pikëve, bregdetarët e Renato Arapit fituan 23 duele më shumë se kurbinasit, por humbën më shumë topa dhe shkaktuan 9 faulle më shumë se Laçi.

1-1 përfundoi sfida Skënderbeu-Kukësi, rezultat që nuk i shërbeu asnjë prej ekipeve. Më mirë ekipi korçar në zotërimin e topit, gjuajtjet, pasimet dhe pasimet e sakta, duelet dhe numrin e driblimeve të realizuara me sukses.
Baraspeshë sa i përket numrit të gjuajtjeve brenda kuadratit (3), teksa djemtë e Longos humbën 11 topa më shumë se vendasit dhe pësuan katër faulle më shumë.

Debutim i hidhur për Elvis Plorin si trajneri i ri i Vllaznisë. Ekipi shkodran u mposht 3-0 në Rrogozhinë, sfidë që u fitua me meritë nga Egnatia e Ramadanit.
Baraspeshë sa i përket qarkullimit të topit dhe goditjeve të tentuara, më mirë vendasit në gjuajtjet e sakta, numrin e pasimeve të kryera dhe pasimet e sakta. Egnatia regjistroi edhe një driblim më shumë se kuqeblutë.
Lojtarët shkodranë fituan më shumë duele se djemtë e Zekirija Ramadanit, pësuan nëntë faulle më shumë dhe humbën shtatë topa më tepër se kundërshtarët.

Kastrioti luftoi fort, rezistoi dhe me pak fat, duke llogaritur edhe penalltinë e humbur të Kallakut, mori maksimumin në takimin shtëpiak ndaj Partizanit, duke marrë pikët maksimale pas suksesit 1-0.
“Demat” nga kryeqyteti mbajtën më shumë topin, e tentuan më tepër portën kundërshtare, kryen më shumë pasime dhe driblime të sakta, dhe u shfaqën më të fortë në duele.
Gjithsesi, Kaina shënoi golin e fitores dhe i dhuroi fitoren ekipit krutan, që humbi 6 topa më pak se kryeqytetasit, ndërkohë që në kuadratin e dy portave përfunduan nga dy topa.

Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



